Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria është e gatshme t’i vijë në ndihmë Spanjës dhe Francës dhe zjarrfikësve të dy shteteve, të cilat po përballen me zjarre të mëdha që kanë detyruar evakuimin e qindra mijëra banorëve. Gjatë një takimi me trupat e Emergjencave Civile dhe zjarrfikësit, kreu i qeverisë u shpreh se zjarret janë një sfidë e përbashkët dhe se “zjarri nuk njeh kufij”, ndaj vendi ynë është i gatshëm të ofrojë mbështetje nëse do t’i kërkohet.
“Në Francë dhe në Spanjë mbi 320 mijë njerëz i kanë lënë shtëpitë e tyre deri mbrëmë dhe vetëm në orët e fundit, 55 mijë banorë janë evakuuar nga zona përreth Bordosë, ku flakët kanë hyrë deri në lagjet e periferisë. Kur sheh qindra mijëra njerëz që ikin të lemerisur është njësoj sikur të shohësh njerëzit tanë, për shkak se rreziku dhe sfida është e njëjtë. Prandaj unë dua që edhe me lejen tuaj nga kjo sallë, t’u shpreh një solidaritet të gjithë kolegëve tuaj në Spanjë dhe në Francë. Ne e kemi bërë edhe në shkuarën falë jush, dhe jemi gati ta bëjmë sërish dhe të përgjigjemi në rast se na kërkohet, siç u jemi përgjigjur kur fqinjët dhe miqtë tanë europianë janë në hall. Sikurse ata na janë përgjigjur kur ne kemi pasur nevojë, sepse zjarri nuk njeh kufi,” u shpreh Rama.
<iframe src=”https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=476&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Freel%2F1326803999212248%2F&show_text=false&width=267&t=0″ width=”267″ height=”476″ style=”border:none;overflow:hidden” scrolling=”no” frameborder=”0″ allowfullscreen=”true” allow=”autoplay; clipboard-write; encrypted-media; picture-in-picture; web-share” allowFullScreen=”true”></iframe>