Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale një postim mbi impaktin ekonomik të koncertit të Kanye West në Spanjë, duke e krahasuar me pritshmëritë për koncertin e artistit në Tiranë. Sipas të dhënave të publikuara, një koncert i vetëm në Madrid pritet të sjellë rreth 49 milionë euro për ekonominë lokale, mbi 3 mijë vende pune dhe rreth 68 mijë fansa, ku 60% e tyre pritet të jenë vizitorë nga jashtë vendit.
Krahas këtij shembulli, qeveria shqiptare ka deklaruar se koncerti i Kanye West në Tiranë, i planifikuar për 11 korrik, do të gjenerojë rreth 100 milionë euro për ekonominë. Ministri Blendi Gonxhja dhe kryeministri Rama kanë theksuar se eventi do të ndikojë në turizëm, hoteleri dhe bizneset lokale.
Ndërkohë, shpenzimi prej 4 milionë eurosh nga fondi i emergjencave për organizimin e koncertit ka shkaktuar debate politike. Opozita e ka kundërshtuar financimin publik për një event privat, ndërsa protestuesit kanë bërë thirrje për bojkot, duke e kthyer koncertin në një nga temat më të diskutuara të ditëve të fundit.