Rama keqinterpreton deklaratën e Calaveras për 15 kushtet

Rama keqinterpreton deklaratën e Calaveras për 15…

Kryeministri Edi Rama vazhdon të insistojë se nuk ka 15 kushte ndaj Shqipërisë për nisjen zyrtare të negociatave, duke keqinterpretuar deklaratat e Genoveva Ruiz Calavera, të bëra një ditë më parë.

Në një postim në Facebook, ai ka ndarë një video nga fjala e shefes së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Genoveva Ruiz Calavera në Komisionin Parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Evropian.

‘Për të gjithë ata që e këndojnë apo e përsërisin pasi e dëgjojnë, këngën e 15 kushteve për nisjen zyrtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Nuk ka 15 kushte dhe kush e përsërit atë këngë ka thjesht qëllimin politik të luftës qorre me qeverinë… Zonja Calavera flet në emër të Komisionit Europian’, shkruan Rama.

Por çfarë deklaroi Calavera në Komision? Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat e Fqinjësisë Europiane dhe Bisedimet e Zgjerimit në Komisionin Europian, nuk mohoi në asnjë moment ekzistencën e 15 kushteve, por theksoi se rëndësia e tyre duhet diferencuar.

‘Të 15 kushtet janë shumë të rëndësishme për përparimin e Shqipërisë, por unë mendoj se ne duhet t’i diferencojmë ato. Nuk janë 15 kushte për të hapur raundin e parë të bisedimeve. Ka kushte që janë shumë të rëndësishme përpara hapjes së bisedimeve dhe kushteve të tjera që duhet të plotësohen në përparimin e Shqipërisë drejt Europës. Të gjitha këto kushte do të reflektohen në procesin e bisedimeve në konferencën ndërqeveritare dhe që do të diskutohen me anëtarët e BE në Këshill’, tha Calavera.

Në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, eurodeputetët përsëritën kërkesën për plotësimin e 15 kushteve për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Jashtë vëmendjes nuk mbeti edhe fenomeni i shit-blerjes së votës. U përmendën po ashtu ndikimi turk në vendin tonë, shembja e Teatrit Kombëtar dhe dhuna e ushtruar ndaj protestuesve, si dhe lufta jo në nivele të kënaqshme kundër kanabisit. 

/Gazeta Atdheu/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit