Nga Ministria e së Vërtetës.
Gjatë një vizite historike dhe tepër shkencore për hapjen e Konsullatës së Re të Shqipërisë në Napoli, Kryeministri Edi Rama u nderua zyrtarisht me çmimin prestigjioz “Banania e Vitit”, një titull i dhënë posaçërisht për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në transformimin e diplomacisë globale në një spektakël arti modern.
Gjatë takimit me rektorët italianë dhe përfaqësuesit e katedrës së shqipes, momenti kulmant nuk ishte nënshkrimi i ndonjë marrëveshjeje akademike apo diskutimi për studentët, por dorëzimi i një dhurate të paçmueshme: një statujë miniaturë e vetë Edi Ramës.
Sipas burimeve të pranishme në sallë, Kryeministri u prek aq shumë nga pamja e vetvetes në versionin 10-centimetresh, saqë harroi për disa minuta praninë e zyrtarëve italianë.
“Është thjesht e përsosur,” raportohet të ketë thënë Rama duke admiruar statujën me një buzëqeshje prindërore. “Më në fund një zyrtar në këtë dhomë që më kupton plotësisht dhe mendon ekzaktësisht si unë.”
Nënshkruesit e çmimit “Banania e Vitit” sqaruan se trofeu u dha për vizionin e tij unik diplomatik: zgjidhjen e çdo problemi të hapësirës akademike shqiptare përmes shpërndarjes së minifigurave me kostum zyrtar.
Raportohet se pas aktivitetit, Kryeministri kërkoi që mini-statuja të vendoset mbi kofanon e makinës zyrtare ose të përdoret si udhërrëfyes politik gjatë mbledhjeve të ardhshme të kabinetit në Tiranë.