Rama publikon foto pak para fjalimit në OKB

Rama publikon foto pak para fjalimit në…

Nga Ministria e së Vërtetës.

Kryeministri Edi Rama ka trazuar sërish rrjetet sociale, duke postuar një selfie artistike direkte nga prapaskenat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku shihet i mbuluar nga e verdha dhe lëvozhgat e vezëve.

Ndërsa kritikët dhe mediat e opozitës me nxitim e lidhën pamjen e tij me incidentin e djeshëm me disa protestues shqiptarë në rrugët e New York-ut, Zyra e Shtypit e Kryeministrisë e hodhi poshtë këtë pretendim si “lajm të rremë dhe pa asnjë vizion estetik”.

“Nuk bëhet fjalë për sulm, por për një trajtim avant-garde bio-proteinik që Kryeministri zgjodhi të aplikonte përpara se të ngjitej në podiumin ndërkombëtar,” deklaroi zëdhënësja e qeverisë. “Të thuash se këto janë vezë të hedhura nga protestuesit do të thotë të mos kuptosh asgjë nga arti konceptual modern dhe kujdesi për lëkurën nën dritat e fuqishme të OKB-së.”

Vetë Kryeministri e shoqëroi foton me një mbishkrim të gjatë e filozofik në rrjetet sociale:

“Disa shohin vezë të thyera mbi kostum, unë shoh energjinë e papërpunuar të fshatit shqiptar që takon diplomacinë globale. E verdha e vezës përfaqëson diellin e Rilindjes, ndërsa lëvozhga e bardhë është një simbol i qëndrueshmërisë sonë ndaj partnerëve ndërkombëtarë. Për më tepër, proteina organike fshatare i jep fytyrës atë shkëlqimin e duhur për HD.”

Burime brenda delegacionit konfirmojnë se Rama ka refuzuar kategorikisht ta pastrojë kostumin apo të fshijë lëvozhgat nga balli përpara se të mbante fjalimin.

Në fakt, ekipi i tij kishte menduar edhe më larg: njoftohet se për fjalimin e tij të ardhshëm në Europë, Kryeministri po konsideron një stil të ri që përfshin domate bio të pjekura mirë, për t’i dhënë më shumë ngjyra e kontrast vizual kostumit të tij të zi.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit