Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e sotme me një tjetër reagim në mbrojtje të biznesmenëve të lidhur me të, pas vlerësimeve negative të publikuara ndaj bizneseve të tij në platformat online. Në një postim në rrjetin social “X”, Rama ka shpërndarë një artikull të publikuar nga portali “Tirana Examiner”, duke pretenduar se fushata e komenteve negative është e motivuar politikisht.
Sipas kryeministrit, sulmet ndaj bizneseve në kulmin e sezonit turistik përbëjnë një goditje të drejtpërdrejtë ndaj ekonomisë dhe sektorit të turizmit. “Ekonomia jonë e turizmit u godit pabesisht nga terrori digjital mbi sipërmarrjet mikpritëse në kulmin e sezonit. Artikulli i Tirana Examiner shpjegon se si një organizim i motivuar politikisht u kthye në agresion ekonomik kundër vendit dhe familjeve që jetojnë me turizmin”, shkruan Rama në postimin e tij.