
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në zonën e Kodër-Rrëshenit, ku një punonjës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka humbur jetën, ndërsa dy kolegë të tij kanë mbetur të plagosur gjatë punës.
Viktima është identifikuar si Emiljano Bunga, ndërkohë që të plagosurit janë transportuar me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore. Të tre punonjësit po punonin për të vendosur furnizimin me energji elektrike në një qendër votimi e cila ndodhet në godinën e një ish-shkolle të mbyllur në Kodër-Rrëshen.
Ngjarja ka ndodhur pak minuta më parë dhe në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor. Paraprakisht dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur si pasojë e kontaktit të drejtpërdrejtë me energjinë elektrike gjatë kryerjes së punimeve.
Policia dhe autoritetet përkatëse po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje tragjike që ka ndodhur në prag të procesit zgjedhor.