
Ndërsa Shqipëria vijon të mburret me rritjen e numrit të turistëve dhe promovimin e plazheve si pasuri kombëtare, një raport ndërkombëtar i publikuar më 20 qershor për cilësinë e ujërave të notimit në Evropë në vitin 2024, nxjerr zbuluar realitetin e kësaj situate në Shqipëri. Agjencia Europiane e Mjedisit ka publikuar raportin vjetor për cilësinë e ujërave të larjes në Europë dhe Shqipëria mban vendin e fundit. Nga 119 pikë të monitoruara në vend, vetëm një pjesë shumë e vogël plotëson standardin maksimal të pastërtisë. Ndryshe nga vendet e rajonit dhe Bashkimit Europian, ku përqindja e ujërave të klasifikuara me cilësi të shkëlqyer shkon deri në 95%, në vendin tonë ky nivel është poshtë çdo pritshmërie, konkretisht në vendin tonë më pak se një në pesë pika plazhi janë të sigurta në maksimum për larje.
Sikur mos të mjaftonte cilësia e ulët e ujërave të larjes, Shqipëria bie në sy edhe për mungesën e transparencës, pasi platforma online e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit është bosh. Në vend që të ekzistojë për të informuar publikun dhe turistët për vendndodhjet e ujërave të larjes, akm.gov.al/bregdete nuk është në funksion.
Situata është alarmante, sidomos kur qeveria Rama, Mirela Kumbaro e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe bashkitë e vendit shpallin me krenari çdo sezon turistik si më të suksesshmin ndonjëherë. Institucionet që duhet të kontrollojnë dhe ndëshkojnë këtë ndotje të ujërave për larje në vendin tonë heshtin dhe trumbetojnë fasadë, ndërsa raporti i Agjencisë Europiane të mjedisit nxjerr zbuluar cilësinë e vërtetë të ujërave në Shqipëri.