Raporti evropian: Shqiptarët kanë “shtëpi bari” kudo

Raporti evropian: Shqiptarët kanë “shtëpi bari” kudo

Shqiptarët kanë shtëpi bari kudo. Ky është përfundimi i raportit të publikuar nga Qendra Europiane e Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Droga dhe Europol.

Sipas raportit “Tregu i drogës në BE, kanabisi”, bazuar në të dhënat nga disa hetime të përbashkëta ndërkombëtare rrjetet shqiptare dhe serbe, në veçanti, duket se janë të përfshirë në kultivimin e kanabisit në shkallë të gjerë në Bashkimin Europian, veçanërisht në Spanjë.

Në raport përmenden disa raste të goditjes së rrjeteve kriminale, përshirë ato shqiptare në kultivimin e kanabisit në mjedise të mbyllura.

Por Spanja nuk është shteti i vetëm europian. Shqiptarët janë kapur me shtëpi bari edhe në Belgjikë apo Holandë.

“60 anëtarë të një rrjeti kriminal shqiptar u arrestuan në prill 2019 për menaxhimin e të paktën një duzinë plantacionesh kanabisi në Belgjikë dhe në veri të Francës.  Rrjetet belge, holandeze dhe shqiptare duket se janë aktorët kryesorë në kultivimin e kanabisit në Belgjikë”, thuhet në raport.

Sipas raportit  përafërsisht 48% e kanabisit bimor të kapur në Greqi në vitin 2020 mendohej të ishte me origjinë shqiptare. Trafikimi i kanabisit ka pasur edhe drejt shtetit italian, ku Guarda di Finanzia ka goditur disa grupe. Megjithatë, sipas raportit, “rrugët detare vazhdojnë të përdoren, si rasti i sekuestrimit të fundit të 1 ton kanabis bimor nga një varkë me vela dhe skafe në brigjet e Vlorës, Shqipëri, në gusht të vitti 2022, që dyshohej se synohej për shitje në Itali.” Raporti i antidrogës europiane vlerëson se lloje të shumta të produkteve të kanabisit gjithashtu mund të trafikohen nga Ballkani Perëndimor drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Raporti përmend një rast në shkurt 2020 ku autoritetet italiane sekuestruan 450 kilogramë kanabis bimor, 75 kilogramë rrëshirë kanabisi dhe 3.5 litra vaj kanabisi në të njëjtën ngarkesë nga Shqipëria. Në një rast tjetër të përmendur në raport , në prill 2020, forcat e rendit italian arrestuan dy shtetas italianë për kontrabandë te rreth 646 kilogramë kanabis bimor dhe 250 kilogramë rrëshirë kanabisi nga Shqipëria.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit