Sipas një raporti të Bashkimit Europian Shqipëria renditet e fundit për sa i përket cilësisë së ujit të plazheve. Ndryshe nga propaganda që është bërë deri më tani, raporti thekson se në ujërat e bregdetit tonë ka prezencë të dy baktereve të rrezikshëm për shëndetin e njeriut që janë Escherichia Coli dhe Enterokoket e zorrëve.
Në këtë analizë u përfshinë plazhe, liqene e lumenj në 27 vendet e Unionit gjithashtu Zvicra dhe Shqipëria.
Mostrat u morën nga ujërat në 22 mijë lokacione ku 85% e tyre u vlerësuan të shkëlqyera. 96% e ujërave plotësonin standardet minimale të cilësisë. Cilësia e ujërave të larjes bregdetare është përgjithësisht më e mirë se ajo e lumenjve dhe liqeneve.
Agjencia Europiane e Mjedisit analizoi ujërat në 119 lokalcione në Shqipëri. Vetë 41.2% e ujërave ku lahen njerëzit në Shqipëri janë të një cilësie ekselente. Pjesa tjetër është klasifikuar e një cilësie “të mirë”, “të mjaftueshme” ose “të varfër”.
Deri tani artikujt e paguar nga mediat pranë qeverisë na kishin bindur ne edhe turistët e huaj që “Shqipëria është si “Maldivet e Europës”, “Thesari i fshehur i Mesdheut”, “Perla e Adriatikut” apo “Bregdeti më i bukur i Jonit”, por në fakt sipas këtij raporti plazhet e bregdetit tonë qënkan burim infeksioni vdekjeprurës.
Ndërsa ujërat më të pastra në Europë u përkasin 4 vendeve: Qipros, Austrisë, Kroacisë dhe Greqisë.