Raporti i SHISH: Grupet kriminale koordinojnë trafikun e drogës nga jashtë vendit

Raporti i SHISH: Grupet kriminale koordinojnë trafikun…

“Grupet kriminale shqiptare të fuqizuara në vend edhe për shkak të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, duke sjellë për pasojë mungesën e ndëshkimit, po fuqizohen më tej duke vepruar edhe nga jashtë”.

Me këtë përfundim arrin Shërbimi Informativ Shtetëror në raportin për vitin 2019, një kopje të të cilit e disponon “Panorama”.

Sipas SHISH, këto grupe të fuqizuara financiarisht brenda vendit tonë, janë larguar jashtë vendit dhe prej andej vazhdojnë aktivitetin e tyre kriminal. Nga andej, ata koordinohen me grupe brenda vendit për të kryer aktivitetet e tyre apo larjen e hesapeve.

“Vlerat monetare dhe pasuria e përfituar nga veprimtaria kriminale ndër vite (favorizuar nga korrupsioni në sistemin e drejtësisë, pandëshkueshmëria apo niveli i ulët i saj), po përdoren nga këto grupe për zgjerimin e aktivitetit të narkotrafikut jashtë vendit, kryesisht në drejtim të drogave të forta. Individët kriminale që i kanë shpëtuar ndëshkimit, janë vendosur në vende të huaja dhe prej andej shërbejnë si ura lidhëse të trafikut me elementë kriminalë brenda vendit”, thuhet në raport.

SHISH konstaton se përveç se në vendet evropiane, burimi kryesor i parave, grupet kriminale shqiptare janë “aktivë edhe në vendet e origjinës së kokainës e heroinës, ku bashkëpunojnë me elementë kriminalë lokalë”.

Raporti vë re se të ardhurat e fituara në mënyrë të paligjshme janë investuar në vijimin e aktiviteteve kriminale, si dhe në biznese të ligjshme.

Sektorët mbizotërues për pastrimin e parave mbeten biznesi i ndërtimit, pasuritë e paluajtshme, hoteleri-turizmi, etj. Zonat bregdetare e ato urbane mbeten më tërheqëset, pasi ofrojnë potencial për kthimin shumëfish të investimit fillestar”, thekson SHISH.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit