Raporti që zbulon vjedhjen në spitale, ja pse mjekët nuk kishin maska në kulmin e pandemisë

Raporti që zbulon vjedhjen në spitale, ja…

Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, apelon që të gjithë qytetarët të mbajnë maska në ambiente të mbyllura, tashmë e bërë e detyrueshme edhe me ligj, janë mjekët dhe infermierët, ata që përballen të parët me koronavirusin, që nuk janë të pajisur me mjetet mbrojtëse.

Në një anketë të zhvilluar përmes internetit me 306 anëtarë të personelit të kujdesit shëndetësor në Shqipëri zbuloi se vetëm një e treta e të gjithë të anketuarve patën pajisjet e nevojshme mbrojtëse ndaj koronavirusit të ri, por situata duket se u përmirësua disi më vonë.

Pavarësisht kësaj, një numër i lartë mjekësh dhe infermierësh thonë se materjalet mbrojtëse i kanë shpesh në sasi të pamjaftueshme.

Në periudhën Mars-Maj 2020, vetëm 1/3 e personelit deklaron se institucioni i tyre i ka pajisur me MMP e duhura, ndërsa 1/4 i  kanë pasur ato në sasi të mjaftueshme, ndërkohë që 1/10 nuk kanë pasur fare pajisje mbrojtëse personale“, shprehet Denisa Celami, menaxhere e programit të shëndetësisë nga shoqata “Together for Life”.

Shoqata “Together for Life” me mbështetjen e fondacionit “Konrad Adenauer” prezantoi raportin e studimit “Sistemi Shëndetësor gjatë pandemisë COVID-19 dhe pajisja e stafit me materialet mbrojtëse“, i cili synon të hedhë dritë mbi sistemin shëndetësor në Shqipëri gjatë pandemisë dhe pajisjes së stafit me materialet mbrojtëse personale, si edhe përjetimet dhe reagimet e tyre psikologjike të shfaqura si pasojë e punës gjatë shpërthimit fillestar të pandemisë në Shqipëri.

Studimi i bazuar në 306 intervista online të kryera gjatë periudhës 6 maj –3 qershor 2020 me personelin shëndetësor aktualisht është i vetmi i këtij lloji në Shqipëri.

Rezultatet e publikuara tregojnë se sistemi shëndetësor ka pasur pamjaftueshmëri të masave mbrojtëse personale (MMP) për personelin mjekësor në spitale, dhe aktualisht sistemi parësor shëndetësor (pa shtretër) është ai që vuan pasojat më të shumta duke ngritur rrjedhimisht më shumë ankesa krahasuar me personelin e spitaleve COVID-19.

Mjekët dhe infermierët në spitalet COVID-19 janë më mirë të pajisur me të gjitha materialet e mbrojtjes personale, e megjithatë më pak se gjysma e tyre  kanë sasi të mjaftueshme të MMP-ve vitale për punën me pacientët e konfirmuar me COVID-19″, citohet në raportin studimor mbi situatën e sistemit shëndetësor gjatë muajve të pandemisë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) cilëson mungesën e masave mbrojtëse si një nga faktorët e riskut për stafin shëndetësor që infektohet nga virusi, sikurse edhe që parandalimi i infeksioneve kërkon përdorimin e masave të duhura dhe kontrollit të infeksionit nga të gjithë punonjësit e shëndetësisë.

Nën kushtet e një disponueshmërie të kufizuar, stafet spitalore në Shqipëri i kanë përdorur pajisjet mbrojtëse me kursim, ndonjëherë duke mos i përdorur fare edhe në raste të nevojshme.

Personeli shëndetësor në sistemin parësor (pa shtretër) është ndjerë më shpesh i detyruar të kryejë punën me pacientët pa masat mbrojtëse të duhura, gati dy herë më shumë se personeli në spitalet COVID-19 (respektivisht 36% vs. 19%)”, tregon Denisa Celami nga “Together for Life”.

Sipas studimit, situata në tërësi shfaqet më pozitive në spitalet COVID-19 – QSUT & Shefqet Ndroqi – gjithsesi edhe aty  më pak se gjysma e personelit pohon përshtatshmërinë dhe mjaftueshmërinë e masave mbrojtëse.

Si pasojë e mangësive në stok të MMP-ve, mjekët dhe infermierët shpeshherë janë detyruar t’i sigurojnë ato me shpenzimet e tyre personale për të ulur riskun e infektimit të pacientëve të tjerë, kolegëve e familjarëve.

Dezinfektuesit me alkool ose higjienizuesit për duart, letrat e lagura dezinfektuese, dorezat dhe maskat kirurgjikale / mjekësore janë katër materialet e mbrojtjes personale që stafi ka blerë më shpesh me shpenzimet personale“, shkruajnë ekspertët e studimit nga “Together for Life”.

Një tjetër problematikë vihet re edhe tek pjesa e trajnimit të stafit mjekësor në lidhje me përdorimin e masave mbrojtëse, ku ndër të drejtat e këtij personeli të listuara sipas OBSH, janë edhe informimi, udhëzimi, dhe trajnimi nga drejtuesit mbi përdorimin, veshjen, zhveshjen, dhe eleminimin e sigurt të MMP-ve.

Më pak se gjysma pohojnë se kanë marrë një trajnim të tillë në kuadër të pandemisë COVID-19″, citojnë autorët e studimit, duke theksuar se shqetësues është fakti që gati 2/5 e personelit në sistemin parësor dhe spitalet bashkiake, rajonale, Spitali Universitar i Traumës dhe dy maternitetet “Mbretëresha Geraldinë” e “Koço Gliozheni” nuk kanë marrë një trajnim të tillë asnjëherë, as pas shpërthimit të pandemisë, as më herët në përvojën e tyre të punës, e as gjatë studimeve.

Për të garantuar informimin e tyre në lidhje me këto masa, më pak se gjysma e personelit shëndetësor janë detyruar të marrin vetë informacion në internet dhe 1/5 ja kanë arritur përmes organizatave e grupimeve profesionale si OBSH, etj. Ndërkohë autoritetet shtetërore si Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si edhe  Instituti i Shëndetit Publik, janë përkatësisht burimi i dytë dhe i tretë i informimit për personelin shëndetësor.

Një tjetër tregues për të cilin shoqata “Together for Life” ngre alarmin mbetet dhe niveli i ulët i testimit të personelit shëndetësor në rastin kur ata vetë kanë shfaqur simptoma (40%) apo pasi janë vetë-izoluar si pasojë e familjarëve që kanë shfaqur simptoma (34%).

/Burimi:Reporter.al/Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit