Rastet me COVID, shefja e epidemiologjisë në ISHP apel për qytetarët

Rastet me COVID, shefja e epidemiologjisë në…

Eugena Tomini, Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP, ka dalë me një apel këtë mëngjes për qytetarët, lidhur me situatën e krijuar në vend nga koronavirusi.

Ajo kërkoi nga qytetarët zbatimin e rregullave të kumtuara nga autoritetet shëndetësore.

“Kemi 10 raste në terapi intensive, që është një numër i lartë. Gjithsej, kemi 78 të shtruar, që përkon me një situatë që ne e konsideronim pikun në mars. Është zgjeruar edhe grupmosha e të shtruarve, sot janë të shtruar edhe persona të moshës 30-40 vjeç”, theksoi Tomini, në një emision televiziv.

Ajo sqaroi se rritja e numrit të testimeve ka lidhje me zgjerimin e kontakteve gjatë 24 orëve.

“Në kohën e karantinës kishim kontakte minimale dhe kjo reflektohej në testimet e atyre javëve. Sot, kontaktet janë më të shumta dhe të zgjatura në kohë dhe rrjedhimisht janë rritur edhe testimet”, u shpreh Tomini.

“Duhet ndërgjegjësim nga e gjithë popullata. Çdo person i rezultuar pozitiv, edhe pse pa simptoma, përbën rrezik për familjarët dhe të gjithë kontaktet e tij. Duhet ndjekur karantinimi dhe distancimi fizik. Gjithashtu, në ambiente të mbyllura, duhet mbajtur maskë”, nënvizoi Tomini.

Kur u pyet nëse publikimi i emrave të personave të infektuar do të ndihmonte në uljen e përhapjes së infeksionit, Tomini tha: “Elementët e konfidencialitetit janë shumë të rëndësishëm përsa i përket sëmundjeve infektive. Ka shumë persona të sëmurë në vendin tonë, me sëmundje të tjera ngjitëse, që mbrohen nga ligji për të drejtat individuale”.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit