Reagon sërish BE për tensionet Kosovë-Serbi: Negociatorët e Kosovës dhe Serbisë së shpejti në Bruksel

Reagon sërish BE për tensionet Kosovë-Serbi: Negociatorët…

Bashkimi Europian ka reaguar sërish në lidhje me tensionet që po ndodhin mes Kosovës dhe Serbisë. Be ka kërkuar që të ulen tensionet dhe ka shtuar se së shpejti negociatorët e të dyja palëve do të mblidhen në Bruksel.

Zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano, ka deklaruar sot se BE është e qartë në mesazhin e saj se de-përshkallëzimi është fjala kyçe për situatën aktuale në mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe në vlerësimin se të dyja palët janë kryesisht përgjegjëse për uljen e tensioneve.

Në konferencën e rregullt për media, Stano theksoi se hapi i parë pozitiv në zgjidhjen e situatës në mes dy vendeve do të jetë shkuarja e negociatorëve kryesorë të dy vendeve në Bruksel.

“Ata do të përdorin platformën e dialogut për të shqyrtuar rrugën përpara, që do të thotë qetësimi i situatës, sepse ajo që po ndodh aktualisht nuk është mirë për qytetarët në Kosovë, në Serbi, apo edhe në rajon”, deklaroi ai.

Stano tha se negociatorët pritet që së shpejti të shkojnë në Bruksel, por se detajet do të bëhen të ditura më vonë.

“Në vend që të reagoni në mënyrë të njëanshme ose të përfshiheni në provokime, ju duhet të përdorni një platformë të dialogut për të zgjidhur çështjet e hapura. Dialogu nuk dështoi sepse ne besojmë se në fund do të jetë e mundur që të dyja palët të bien dakord, e ne jemi këtu për t’i ndihmuar ata në këtë”, shtoi ai.

Stano tha gjithashtu se BE-ja ka qenë e angazhuar fuqishëm në përpjekjet diplomatike në të gjitha nivelet që nga fillimi për të qetësuar situatën në Kosovë, si në terren me Beogradin dhe Prishtinën, ashtu edhe me partnerët ndërkombëtarë.

Stano konfirmoi se kreu i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell foli sërish në telefon dje me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit