Reali i Madritit në Champions u mund nga burgaxhinj e punëtorë porti

Reali i Madritit në Champions u mund…

Reali i Madritit humbi në Champions përballë Sherifit. Kjo humbje ka tronditur të gjithë ndjekësit e futbollit e kryesisht fansat e Realit të Madridit. Mediat e huaja i kanë bërë jehonë,  dështimit të ekipit të Ançelotit, i cili goditi 31 herë në portë, por në fund u dorëzua përballë Sherifit të Tiraspolit.

Spanjollët kanë depërtuar në historinë e klubit moldav, por edhe të lojtarëve të Sherifit për të gjetur kush janë ata që mundën Realin.

SIMBOLI – Njeriu simbol i suksesit të Sherifit në Madrid ka qenë Sebastian Til. Luksemburgasi ka shënuar një gol të shkëlqyer në fundin e takimit duke i dhënë një fitore historike klubit të panjohur në Europën e madhe. Til iu bashkua Sherifit në sezonin e kaluar nga Tambovi në Rusi, pasi kishte përjetuar momente aspak të mira në vendlindjen e tij, Luksemburg. Në vitin 2017, ai ka pasur një eksperiencë të pakëndshme me policinë dhe organet gjyqësore. Teksa ka qenë i dehur, ai është bërë protagonist në një aksident të shumëfishtë.

Pasi ka përplasur disa makina, ai është larguar, por më pas është arrestuar nga policia vendëse. Pas testit të alkoolit në gjak ka rezultuar se ai ka konsumuar tej normave të lejuara për drejtimin e makinës (2.47 gramë alkool në gjak) dhe ka përfunduar në burg. Në fund të gjithë historisë ai ia hodhi me një gjobë të majme dhe heqje të patentës për 43 muaj. Kjo histori e hidhur duket se i ka shërbyer si mësim, pasi me punë ka realizuar ëndrrën “Champions”, teksa ka bërë tatuazh edhe kupën me veshë të mëdhenj.

“HAMALLI” – Protagonisti tjetër i mbrëmjes historike të Sherifit ka qenë Kristiano! Jo ai që njohim të gjithë, por Kristiano da Silva Leite, një brazilian i panjohur, por që në dy takimet e para në Champions ka qenë protagonist absolut për moldavët me tri asiste. Historia e tij është kapitull më vete. Pasi dështoi me Korinthiansin dhe Vasko da Gamën, vendosi të tërhiqej nga futbolli në vitin 2011. Pas kësaj shkoi të punonte si punëtor porti në Rio de Zhanejro, duke pastruar varkat e nëndetëset. Pas dy vitesh punëtor porti, një telefonatë e ktheu te futbolli, teksa transferimi te Sherifi në vitin 2017 i ndryshoi jetën. Një përrallë e bukur!

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit