Rebelët Huthi sulmojnë Arabinë Saudite me raketa dhe dronë, përshkallëzohet kriza në Detin e Kuq

Rebelët Huthi sulmojnë Arabinë Saudite me raketa…

Rebelët Huthi të mbështetur nga Irani kanë njoftuar se kanë lëshuar raketa dhe dronë drejt Arabisë Saudite, në përgjigje të sulmeve ajrore saudite ndaj qytetit strategjik të Hodeidës në Jemen, duke rritur më tej tensionet në Detin e Kuq dhe në rajonin e Gjirit.

Zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Saree, deklaroi se objektiv i sulmit ishin impiante të kompanisë saudite të naftës Aramco në qytetet bregdetare Yanbu dhe Jizan. Autoritetet saudite konfirmuan se alarmet e mbrojtjes civile u aktivizuan disa herë gjatë natës, por nuk kanë dhënë ende detaje për dëme apo viktima.

Përshkallëzimi vjen pasi Arabia Saudite goditi qytetin portual të Hodeidës, duke deklaruar se kishte në shënjestër objektiva ushtarake të lidhura me kërcënimet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq. Sipas autoriteteve shëndetësore të drejtuara nga Huthit, sulmet plagosën të paktën dy persona.

Situata në Detin e Kuq po rrezikon gjithnjë e më shumë tregtinë globale, pasi Huthit kanë paralajmëruar se do të bllokojnë ngushticën Bab el-Mandeb për anijet e lidhura me Arabinë Saudite. Kjo rrugë detare është një nga pikat më të rëndësishme të transportit në botë, pasi përmes saj kalon rreth 12% e tregtisë globale dhe një e katërta e trafikut të kontejnerëve.

Ndërkohë, gjatë natës nuk u raportuan sulme të reja amerikane ndaj Iranit, duke ndërprerë për herë të parë pas gati dy javësh serinë e bombardimeve të njëpasnjëshme. Megjithatë, tensionet në rajon mbeten të larta për shkak të përplasjes mes SHBA-së dhe Iranit rreth kontrollit të Ngushticës së Hormuzit.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, bëri thirrje për zgjidhjen e konfliktit në Jemen përmes dialogut dhe diplomacisë, duke kërkuar shmangien e përballjeve ushtarake.

Konflikti rajonal vazhdon të ketë pasoja të rënda humanitare. Sipas autoriteteve iraniane, lufta ka shkaktuar mbi 3.400 viktima në Iran, ndërsa dhjetëra persona të tjerë kanë humbur jetën në Izrael, Liban dhe vende të tjera të rajonit, ndërsa përplasjet mes SHBA-së, Iranit dhe aleatëve të tyre vazhdojnë të rrisin frikën për një konflikt edhe më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit