Rebelimi i opozitës bllokon dy ligje në Parlamet, edhe Avokati i Popullit "në mëshirë të fatit"

Rebelimi i opozitës bllokon dy ligje në…

Rebelimi i opozitës, me bojkot të seancave plenare dhe komisioneve parlamentare dhe kaosit që kanë shkaktuar prej më shumë se dy muaj, nuk e ka ndaluar mazhorancën qeverisëse të votojë një sërë ligjesh e vetme, me 74 vota, përfshirë këtu edhe buxhetin 2024.

Por tashmë deputetët demokratë kanë mundësinë të bllokojnë ligjet që kërkojnë më shumë vota se sa ka mazhoranca socialiste, ligjet me 84 vota.

Një prej këtyre ligjeve është amnistia, e cila mbërriti në parlament në fillim të muajit, nga e cila përfitojnë ulje dënimi apo liri rreth 600 persona. Ky ligj pritej të merrte dritën jeshile para festave të fundvitit, por në kushtet kur opozita nuk pranon të kthejë kurs, konsensusi dhe kalimi i këtij ligji duket e vështirë.

Një ligj tjetër që mbeti në parlament është drafti që rrit pagat e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese deri në 6.4  milionë lekë, i cili sërish kërkon konsensusin e 84 deputetëve, në një kohë që mazhoranca numëron vetëm 77.

Në këtë rast edhe gatishmëria e Lulzim Bashës dhe deputeteve të tij nuk e ndihmoi qeverinë të miratonte rritjen e pagave. Pas dy përpjekjeve të dështuara për të arritur numrin e 84 votave pro, ligji as nuk është futur më në rendin e ditës në séancë plenare.

Në klimën e tensionuar politike në parlament nuk po diskutohet më as për avokatin e popullit. Erinda Balancës i ka mbaruar mandati para 19 muajsh, por zgjedhja e pasardhësit të saj duket gjithnjë e më vështirë për një figurë që duhet të ketë konsensusin e opozitës dhe mazhorancës.

Situata në parlament pritet të jetë sërish e tensionuar edhe në 15 janar kur parlamenti nis punimet pas pushimeve të fundvitit. Dhe duket se pa u zgjidhur konflikti politik mes opozitës e mazhorancës asnjë ligj me shumicë të cilësuar nuk do të miratohet në parlament.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit