Reforma zgjedhore, PS-PD përplasjen për formulën e KQZ-së

Reforma zgjedhore, PS-PD përplasjen për formulën e…

Pavarësisht marrëveshjes së arritur në fillim të qershorit PS-PD për reformën zgjedhore, duket se diskutimet në Këshillin Politik janë bllokuar sërish. Çështja që ka rindezur sërish debatin mes mazhorancës dhe opozitës lidhet me formulën e zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor, që do të përbëhet nga 3 trupa.

Opozita pretendon se, Partia Socialiste kërkon të zgjedhë vetë të gjithë anëtarët, duke hequr çdo garanci për opozitën në nivelin më të lartë te administrimit të zgjedhjeve. Sipas PD propozimi i opozitës bazohet në dakordësinë e arritur më 5 qershor me ndërmjetësimin e SHBA dhe BE.  Sipas këtij dokumenti qeveria dhe opozita pranuan që Komisioneri të zgjidhet me konsultime mes palëve, ndërsa nën komisoneri të zgjidhet nga opozita, ndërkohë që 5 anëtarët në Komisionin Rregullator dhe KAS të ndahen në mënyrë proporcionale midis maxhorancës dhe opozitës.

“Dua të konfirmoj në emër të opozitës së bashkuar, i qëndrojmë pikë për pikë dokumentit të firmos në lidhje me identifikimit biometrik, ruajtjen e administratës nga politizimi dhe dakordësinë për një formulë të re në KQZ. Në këto kushte ne kemi propozuar për një formulë emërimi të mirë pranuar që sot është në Kushtetutë. formulë që është bekuar edhe nga ndërkombëtarët, garanton shqyrtim të pavarur. Është kundërshtuar nga maxhoranca pa asnjë arsyetim. Nuk i intereson sepse do kapjen e plotë të KQZ në të tre organet”, u shpreh Oerd Bylykbashi.

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri tha se socialistët kishin propozuar mandate më të gjata për komisionarët, por që nga opozita ishte hedhur poshtë. Ai këmbënguli se mazhoranca është e vendosur ta dërgojë deri në fund reformën, por që opozita duket se ka tjetër synim.

“Propozuam mandate më të gjata për anëtarët e KQZ-së, por si duket opozita ka dashur vetëm marrëveshje zgjedhore për identifikimin biometrik dhe tashmë ka pasur një devijim të bisedës sepse ata nuk mund të zhbëjnë Parlamentin, as që komisionarët të zgjidhen përmes një rruge jo parlamentare. Ata kërkojnë mandate 4-vjeçare siç është sot, është më e ndershme të mbetemi te KQZ-ja që jemi”, tha Gjiknuri.

Opozita ka paraqitur sot zyrtarisht në Këshillin Politik formulën për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ. Formula e propozuar për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ që ka propozuar sot opozita është e njëjta formulë e përzgjedhjes që është përdorur për organet e reja të sistemit të drejtësisë. Kjo formulë e prezantuar asokohe nga faktori ndërkombëtar, u pranua nga palët si zgjidhje për të ruajtur profesionalizimin dhe pavarësinë e institucioneve.

Konkretisht, formula parashikon tre faza: Kontrolli i kritereve formale nga një institucion i pavarur kushtetues, si Avokati i Popullit. Zgjedhja nga një komisioni përzgjedhës i kandidatëve, me përbërje të balancuar, 3 maxhoranca dhe 2 opozita. Votimi i listës në bllok nga Kuvendi.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit