Rekomandimi i OKB: Shëndetësia falas? Në Shqipëri përveç kartës së shëndetit, edhe ‘xhepi plot’

Rekomandimi i OKB: Shëndetësia falas? Në Shqipëri…

Ndiheni të sëmurë dhë keni probleme më shëndetin? Normalisht që duhet t’i drejtoheni një mjeku.

Por si fillim duhet të keni me vete kartën nga sigurimi shëndetësor.

Sipas OKB, në Shqipëri përveç kartës së shëndetit duhet të keni me vete  para për të paguar mjekun.

Shqipëria shpenzon më pak se mesatarja europiane dhe e Azisë Qendrore për shëndetin.

Kjo të paktën sipas raportit të OBSH, sipas të cilës shpenzimet totale të qeverisë për shëndetin janë 9-10% të totalit të shpenzimeve buxhetore, vlerë kjo më e ulët se mesatarja e në vendet me të ardhura të mesme të larta të vlerësuara nga Banka Botërore që shpenzojnë 12% të buxheteve vjetore për shëndetësinë.

Ndonëse të kufizuara burimet publike nga buxheti mbulojnë tërë popullatën me një paketë të gjerë shërbimesh falas, por në realitet është e vështirë të vlerësohet mbulimi i saktë.

OBSH i rekomandon Shqipërisë që duhet të zhvillojë një program me fokus të synuar.

Aktualisht, e gjithë popullata ka të drejtën e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor.

Për të përdorur në mënyrë sa më efektive burimet financiare në dispozicion, vendi duhet të kalojë në një skemë të synuar, selektive, ku popullsia e cenuar ndaj rreziqeve financiare si, njerëz të papunë, pensionistë, gratë, fëmijët dhe adoleshentët të përfitojnë më shumë nga skema e sigurimeve që financohet nga qeveria.

OBSH ka kërkuar që financimi i shërbimeve nga skema e shërbimeve shëndetësore duhet të pasqyrojnë situatën aktuale epidemiologjike në vend, teksa duhen kryer studime më të detajuara rreth kostove.

Këto rekomandime duhet të shihen si një strategji afat-shkurtër për të përmirësuar zvogëlimin e pagesave nga xhepi.

Mekanizmat e financimit të shëndetësisë në Shqipëri janë të fragmentuara dhe të ndërlikuara. Kjo vështirëson gjurmimin e shpenzimeve.

OBSH përmend ekzistencën e pagesave joformale, të cilat janë të vështira për t’u vlerësuar.

Për të qenë në gjendje të gjurmojë shpenzimet sipas burimit, Shqipëria duhet të institucionalizojë dhe implementojë sistematikisht llogaritë e sektorit shëndetësor. Kjo do të lejojë një menaxhim efikas të burimeve të mundshme për kujdesin shëndetësor.

Një pjesë e lartë e pagesave nga xhepi komprometojnë mbrojtjen financiare të popullatës.

Në zonat rurale, kostot për të udhëtuar drejt spitaleve shoqëruar me koston e mundshme për shërbimet që nuk janë në dispozicion brenda sektorin publik, pengojnë aksesin e tyre në shërbimet shëndetësore.

Pagesat e larta nga xhepi për shërbimet shëndetësore janë një tregues se jo vetëm njerëzit e pasiguruar, por edhe ata që janë të përfshirë në skema përballen me pagesa informale.

Me herët, edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara në një raport për planin e përgjigjes për rimëkëmbjen social ekonomike ndaj Covid-19 shprehu shqetësimin se Shqipëria, jo vetëm që ka shpenzimet më të ulëta për shëndetësinë nga gjithë shtetet e Europës Juglindore, por dhe në vitet e ardhshme planifikon që t’i ulë më tej ato.

“Duhet theksuar se shpenzimet publike për shëndetësinë si pjesë e PBB-së janë më të ulëta në Shqipëri (2.97%) sesa në shumicën e vendeve të Evropës Juglindore, dhe parashikimet për vitet 2020-2022 tregojnë një ulje të lehtë në 2.94% deri në vitin 2022.

Kjo tendencë është veçanërisht shqetësuese nëse duhet të ndërtojmë dhe të fuqizojmë një sistem shëndetësor më të mirë. Projeksioni i OBSH për vitin 2020-2022 tregon se Shqipëria do të shpenzojë për tre vitet e ardhshme më pak se 10% për shëndetin nga paratë e përgjithshme publike. Rënia e burimeve për kujdesin parësor është shqetësuese. Strategjia për zhvillimin e kujdesit parësor në Shqipëri kërkon një buxhet të rritur në 25%. Roli i rëndësishëm i kujdesit parësor në përgjigjen dhe shërimin e COVID 19 është i rëndësishëm”, thuhet në raport.

Gjithashtu, OBSH vlerëson se Shqipëria nuk ka ende një strategji të burimeve njerëzore të nevojshme për sistemin shëndetësor, pasi nuk ka analiza që zbulojnë dobësitë në këtë drejtim.

Strategjia Kombëtare e Shëndetësisë Shqiptare për 2016-2020 raporton se sistemi shëndetësor vuan prej mungesës së profesionistëve të shëndetit. Raporti i personelit për frymë është 1.2 mjekë për 1000 banorë për mjekët dhe 3.6 për 1000 për mamitë dhe infermieret.

Diploma e një infermierie është arsim i lartë trevjeçar, me një punë shtesë dyvjeçare në spitale. Trajnimi për mamitë është me të njëjtën kohëzgjatje.

Në Shqipëri, arsimi universitar për mjek është gjashtë vjet, por trajnimet për mjekët e familjes kërkojnë edhe dy vite shtesë.

Ndërsa specializimi i mëtejshëm i mjekëve për fusha të ndryshme kërkon katër vite kohë,

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se më pak të rinj po hyjnë në profesionin e mjekësisë dhe ata që trajnohen priren të migrojnë jashtë, duke çuar në mungesa në sistemin shqiptar.

Profesioni i mjekut është nën kritika të vazhdueshme të opinionit publik, dhe kjo ndikon negativisht në interesat e të rinjve për t’iu bashkuar këtij profesioni.

Anketat vendase në vitin 2018 gjetën se 24% e mjekëve po planifikonin të largoheshin menjëherë dhe 54% do të largohej nëse i jepej mundësia.

Arsyet e largimit përfshinin mbështetje financiare dhe kushte më të mira pune. 71% e mjekëve raportuan mungesa në shërbime dhe pasiguri në punë.

Sipas OBSH, qeveria e Shqipërisë beson të zgjidhë mungesën e mjekëve në rrethe duke ofruar disa kushte dhe stimulime.

Do të aplikohet një sistem patronazhi, ku çdo specialist në QSUT do të mbikëqyrë klinika në rrethe kundrejt një pagese të posaçme.

Po aplikohet një sistem bonusi përmes të cilit qeveria do të paguajë një tarifë prej 2200 euro në vit, përveç pagës prej afërsisht 500–600 euro në muaj për ata që dëshirojnë të punojnë në zona të largëta për një periudhë kohe, ndërsa pozicioni i tyre mbahet i hapur në spitalin e origjinës.

Do të ketë trajnim falas specialistësh për ata që bëjnë një kontratë detyruese me Ministrinë e Shëndetësisë, për të punuar tre vjet në një rreth.

Këta profesionistë mund të bashkohen me sistemin e kontratave detyruese të qeverisë duke aplikuar për të punuar në rrethe për bonusin.

Mjekët e familjes në zonat rurale punojnë si pediatër në zonat klinike të fëmijëve dhe fëmijëve të sëmurë.

Një trajnim 1-vjeçar për mjekët e familjes vijoi së fundmi në spitalin “Nënë Tereza”, duke mundësuar që ata të fitojnë aftësi shtesë pediatrike për të mbuluar mungesën e specialistëve të pediatrisë.

Por në Shqipëri nuk ka ende asnjë lloj specializimi të mjekëve për trajtimet e çështjeve shëndetësore të adoleshentëve.

Edukimi i vazhdueshëm profesional për ofruesit e kujdesit shëndetësor ka nisur që më 2009.

Profesionistë të shëndetit mund të marrin pjesë në programe dhe trajnime të ndryshme të lidhura me një sistem të akreditimit.

Drejtoritë Rajonale monitorojnë mjekët që marrin pjesë në vazhdimin e veprimtarive të edukimit profesional në nivelin e kujdesit parësor shëndetësor.

Në nivel politike besohet se cilësia më e dobët e kujdesit që perceptohet nga klientët në rrethe ka të bëjë me mungesën e specialistëve jashtë kryeqytetit.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP) nuk është i vetmi entitet përgjegjës për informacionin shëndetësor në sistem, dhe nuk mund të shkëmbejë informacione pa lejen e INSTAT.

Sipas ligjit, si entet publike ashtu edhe subjektet private kanë të drejtë të paraqesin informacionin e kërkuar për kushte specifike të tilla si, sëmundjet, vaksina dhe imunizimi, administrimi dhe përdorimi i kontraceptivëve, mbikëqyrja e abortit, kongjenitale keqformime dhe kontrollim i kancerit të gjirit.

Mungesa e dixhitalizimit ende bën që informacioni të grumbullohet në rrugë manuale, duke e bërë atë shpesh pre të pasaktësive.

OBSH në intervistat e ekspertët e ISHP ka vlerësuar se sistemet ekzistuese nuk janë të përshtatshme për saktësinë e informacionit.

Ndërkohë që nuk ka asnjë motivim nga zinxhiri mjekësor për raportime të sakta.

/Burimi:Monitor.AL/Përgatiti:Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit