Tregu imobiliar në kryeqytet ka shënuar një tjetër kulm gjatë tremujorit të parë të vitit 2026. Çmimet janë dyfishuar krahasuar me shtatë vite më parë.
Të dhënat zyrtare deri në muajin mars 2026 pasqyrojnë një rritje të ndjeshme të kuotave të shitjes, ku mbizotërojnë kryesisht apartamentet e rishitura. Çmimi mesatar ka arritur në 2,141 euro për metër katror, ndërsa çmimi median llogaritet në 2,046 euro për metër katror. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019, kur çmimi mesatar ishte 964 euro/m², vlera është rritur me 122% duke u bërë dy herë më e lartë.
Ndërkohë, në krahasim me vitin 2005, çmimet janë trefishuar duke shënuar një rritje prej 222%.
Sa kushton metri katror sipas zonave në Tiranë?
Shtrenjtimi i pronave ka përfshirë çdo cep të kryeqytetit, me rritje që llogariten rreth 90% krahasuar me katër vite më parë. Në zonën e Bllokut, çmimi mesatar i shitjes ka prekur kuotën e 3,003 eurove për metër katror. Brenda Unazës së Vogël të Tiranës, blerësit duhet të paguajnë mesatarisht 2,431 euro për metër katror. Ndërsa për apartamentet e vendosura jashtë Unazës së Vogël, regjistrohet një çmim mesatar prej 2,022 eurosh për metër katror.
Nga analiza e periudhës 2020–2026, tregu ka kaluar nëpër faza të ndryshme luhatjesh dhe hovesh të forta. Çmimi real i shitjes është rritur me 117% nga tremujori i parë 2020 deri në tremujorin e parë 2026, duke kaluar ndjeshëm inflacionin kumulativ të së njëjtës periudhë që llogaritet në 77.3%. Gjatë tremujorit të parë 2026, çmimet mesatare reale u rritën me 2.4% dhe ato mediane me 4.5% krahasuar me fundin e vitit 2025.
Ekspertët e fushës sqarojnë se ndryshimet në çmimet mesatare nuk lidhen domosdoshmërisht vetëm me shtrenjtimin e pronave në tërësi, por shpesh ndikohen edhe nga luhatjet e volumit të ofertës në dispozicion gjatë periudhave të caktuara të vitit.