Rekord negativ/ Ja pse vendi nuk po njeh fluks turizmi... 64% e shqiptarëve nuk përballojnë as një javë pushime

Rekord negativ/ Ja pse vendi nuk po…

Jo vetëm për punësimin, pagat dhe nivelin e konsumit… shqiptarët janë të fundit e Europës edhe për të bërë pushime.

Të shkosh me pushime 5-7 ditë në Shqipëri gjatë verës, mund të konsiderohet pa frikë si një luks.

Por këtë komoditet jetese, nuk mund ta ketë aktualisht plot 64% e familjeve shqiptare, sipas statistikave më të fundit.

Kjo, sipas të dhënave krahasuese nga barometri i Ballkanit, publikuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal dhe Eurostat.

Prandaj të dashur operatorë turistikë që jeni në pritje të “boom-it”, këtë verë “shtrëngoni rripat”.

Ose ulni në 50% çmimet, në mos doni të ulni përfundimisht qepenat e bizneseve.

Kriza e koronavirusit që ka mbërthyer gjithë globin, ka pezulluar planet e udhëtimeve për shumëkënd dhe turizmi i brendshëm mbetet shpresa e vetme.

Të gjitha shtetet po shpresojnë se udhëtimet e brendshme mund të kompensojnë një pjesë të humbjes.

Pyetjes: “A jeni përballur me paaftësi për të përballuar të paktën një javë pushime larg nga shtëpia (nëse doni) gjatë 12 muajve të kaluar?”,- rreth 64% e shqiptarëve i janë përgjigjur “Po”.

Kjo është edhe përqindja më e lartë në rajon.

Në përgjithësi, për këtë pyetje, të gjithë vendet e rajonit kanë shprehur pamundësinë për të bërë pushime.

Pas Shqipërisë, renditet Mali i Zi me 48%, Maqedonia e Veriut me 46%, Serbia me 40%, Bosnjë-Hercegovina me 35%.

Në rajon, më lehtë i përballojnë pushimet shtetasit nga Kosova, me vetëm 28% të totalit, që pohojnë që nuk bëjnë dot pushime.

Kosova ka si destinacion kryesor për të kaluar pushime Shqipërinë.

Në vendet e BE, sipas Eurostat, në vitin 2019, 29% e banorëve të shteteve anëtare të moshës 16 vjeç e sipër, nuk ishin në gjendje të përballonin pagimin e një pushimi.

Kjo peshë është ulur gradualisht që nga viti 2010, kur 39% e evropianëve nuk mund të përballonin të bënin një javë pushime larg shtëpisë së tyre.

Për shkak të bllokimeve dhe mbylljes së kufijve të zbatuar në të gjithë botën në vitin 2020, për të ngadalësuar përhapjen e shpejtë të koronavirusit, kjo prirje rënëse ka të ngjarë të ndalojë në vitin 2020.

Në të kundërt, në fundin e ulët të shkallës, vetëm 10% e njerëzve në Suedi nuk ishin në gjendje të përballonin një pushim vjetor një javë.

Të ndjekur nga Danimarka dhe Luksemburgu (të dy nga 11%), Finlanda (12%), Gjermania dhe Austria (të dy 13%).

/Burimi: Monitor/Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit