Rekord tragjik në Brazil, rreth 900 viktima në 24 orë

Rekord tragjik në Brazil, rreth 900 viktima…

Brazili është kthyer në epiqendrën e pandemisë në Amerikën Latine, më një bilanc viktimash që po rivalizon shtetet më të goditura të botës.

Autoritetet raportuan se 881 persona nuk i mbijetuan dot komplikacioneve nga koronavirusi, duke e çuar mbi 12 mijë totalin e jetëve të humbura e duke u bërë të martën i dyti shtet në botë pas SHBA-së me një bilanc kaq tragjik në 24 orët e fundit.

Numri i të infektuarve ka shkuar në 180 mijë, çka e rendit Brazilin ndër të parët në hartën globale.

Ekspertët thonë se duke pasur parasysh popullsinë mbi 200 milionë banorë, numri i bartësve të koronavirusit duhet të shumëfishohet në javët që vijnë.

Ndërsa infeksioni përhapet dhe rajonet e Brazilit mbajnë në fuqi masat kufizuese, presidenti i vendit, Zhair Bolsonaro, vijon ta kritikojë si të tepruar reagimin e autoriteteve, duke lëshuar këtë javë edhe një dekret që i klasifikon palestrat dhe sallonet e bukurisë, shërbime thelbësorë për qytetarët.

Prej shfaqjes së pandemisë, kreu i shtetit këmbëngul se dëmi ekonomik që sjell mbyllja e bizneseve është më keq sesa vetë koronavirusi, që ai e quan një lloj i vogël gripi.

Situata me pandeminë nuk paraqitet mirë as për rajonet e tjera të kontinentit, me shtetet kryesisht të prekura si Peruja, Ekuadori, Kili dhe Kolumbia.

Ndërkaq më në veri, Meksika po ashtu raportoi të martën përkeqësim të gjendjes.

Me 353 viktima të reja brenda ditës, vendi shënoi bilancin më të rëndë ditor, duke arritur afro 4 mijë jetë të humbura, ndërsa rreth 40 mijë persona janë diagnostikuar me infeksionin vdekjeprurës.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit