Nëse mendon se për të fituar tendera shtetërorë duhet të jesh patjetër i pranishëm në zyrë, të përgjigjesh në telefon apo të paktën të jesh i lirë, gabohesh rëndë. Biznesmeni Ermal Beqiri na vërteton thelbin e “arratisë krijuese”, duke drejtuar bizneset dhe duke korrur miliona nga buxheti i shtetit ndërkohë që është shpallur në kërkim nga SPAK si i dyshuar për drejtimin e një grupi të strukturuar kriminal të lidhur me aferat e AKSHI-t.
Për ironi të fatit, ndërkohë që kompanitë e jo-aq-të-panjohura të tij, “Soft & Solution” dhe “Horizon”, janë vënë zyrtarisht nën sekuestro preventive me urdhër të Gjykatës së Posaçme që nga muaji prill i këtij viti, Universiteti i Tiranës ka vendosur t’i hapë dyert dhe arkën. Nën drejtimin e rektorit Artan Hoxha dhe me procedurën e zbardhur në maj nga administratori Skerdi Dafa, ky institucion arsimor i ka dhuruar bashkimit të shoqërive të Beqirit një tender me vlerë mbi 50 mijë euro për “Mirëmbajtjen e Sistemit Informativ të Institucionit”.
Gara, si zakonisht, ka pasur atë “lezetin” e zakonshëm administrativ: në të morën pjesë dy operatorë ekonomikë, ku njëri ishte regjistruar thjesht sa për numër pasi nuk paraqiti asnjë ofertë ekonomike dhe u skualifikua në sekondën e parë duke lakuar në lojë vetëm bashkimin e operatorëve në pronësi të vetë Ermal Beqirit, të cilët u shpallën menjëherë fitues.
Kështu, ndërkohë që Policia e Shtetit ende luan lojën e fshehtësisë me masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Beqirit, dhe ndërkohë që ish-drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj sillet mes arrestit të shtëpisë dhe detyrimit për paraqitje të caktuar nga Gjykata e Lartë për shkak të dyshimeve të forta mbi kanalizimin e tenderave në disa duar, sistemi informativ i universitetit më të madh në vend ka gjetur shpëtimin te duart e një “të kërkuari” që komandon nga arratia. Në fund të fundit, çfarë rëndësie ka qelia kur lulishtja e tenderave publikë vazhdon të lulëzojë?