Rektori Artan Hoxha nuk zbaton vendimin e Gjykatës për rikthimin në detyrë të dekanes së Juridikut

Rektori Artan Hoxha nuk zbaton vendimin e…

Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania lidhur me zbatimin e një vendimi të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, që lidhet me rikthimin në detyrë të Prof. Dr. Dorina Hoxhës si Dekane e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.

Sipas dokumenteve të vëna në dispozicion të redaksisë, më 16 korrik 2026 gjykata vendosi pranimin e padisë së Prof. Dr. Dorina Hoxhës, shfuqizimin e aktit administrativ për pezullimin e saj, konstatimin e cenimit të mandatit si dekane dhe rivendosjen e saj në ushtrimin e funksioneve. Në vendim parashikohet gjithashtu edhe ekzekutimi i përkohshëm.

Denoncuesi pretendon se, megjithëse vendimi i arsyetuar u është komunikuar palëve më 24 korrik 2026, ai ende nuk është zbatuar nga Universiteti i Tiranës.

Sipas tij, Universiteti ka argumentuar se zbatimi do të bëhet vetëm pas komunikimit zyrtar të vendimit të plotë të arsyetuar, një qëndrim që, sipas denoncuesit, ka sjellë vonesa në rikthimin e dekanes në detyrë.

Në mesazhin e dërguar në redaksi ngrihen disa pyetje publike:

Pse nuk është ekzekutuar ende vendimi i gjykatës?
A ekziston një bazë ligjore për këtë vonesë?
A po respektohet detyrimi për zbatimin e vendimeve gjyqësore?

Denoncuesi shton se, sipas mendimit të disa juristëve të cilëve u referohet, në raste të tilla mund të lindin diskutime juridike mbi përgjegjësinë e funksionarëve publikë nëse konstatohet refuzim ose vonesë e pajustifikuar në zbatimin e një vendimi gjyqësor. Megjithatë, vlerësimi i çdo përgjegjësie eventuale është kompetencë ekskluzive e organeve të drejtësisë.

JOQ Albania mbetet e hapur për të publikuar edhe qëndrimin zyrtar të Universitetit të Tiranës dhe të Rektorit Artan Hoxha lidhur me këtë çështje, në funksion të një pasqyrimi të plotë dhe të balancuar të ngjarjes.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit