Rëndohet bilanci i ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e kësaj të shtune në fshatin Karmë të Vaut të Dejës, ku dy persona ranë në kontakt me rrymën elektrike në ambientet e jashtme të një lokali. Të dy kanë humbur jetën.
Fillimisht, 40-vjeçari Sokol Preka humbi jetën gjatë transportimit për në spital, ndërsa 46-vjeçari David Deda, elektricist, ka ndërruar jetë gjithashtu gjatë transportimit për në spital.
Sipas informacionit të përditësuar të Policisë, dy personat dyshohet se kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike në ambientet e jashtme të lokalit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur dëshmia e një personi që pretendon se ka dijeni për ngjarjen dhe ngre shqetësime për vonesën e ambulancës.
Sipas tij, në zonën e Vaut të Dejës nuk ka prej disa muajsh një ambulancë funksionale dhe, pas ngjarjes, është dashur të pritej ardhja e ambulancës nga Shkodra.
“Arsyeja sepse Bashkia Vau i Dejës s’ka ambulancë, e ka në servis tash 3 muaj. Sa ka bërë ambulanca të vijë prej Shkodre, se është larg, ata kanë vdekur rrugës”, pretendon dëshmitari.
Ai kërkon që ky shqetësim të bëhet publik, duke pretenduar se mungesa e një ambulance në zonë ka ndikuar në vonesën e dhënies së ndihmës mjekësore. Ky pretendim nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe mbetet për t’u verifikuar nga institucionet përgjegjëse.
Dëshmitari kundërshton gjithashtu informacionin paraprak të Policisë për 40-vjeçarin Sokol Preka, duke pretenduar se ai nuk ishte roje i lokalit, por klient që kishte shkuar aty për të pirë kafe.
Ndërkohë, rrethanat se si dy personat kanë rënë në kontakt me energjinë elektrike dhe përgjegjësitë eventuale lidhur me ngjarjen mbeten objekt i hetimit.