Një incident i dhunshëm ka ndodhur gjatë koncertit të reperit të njohur portorikan Hades66 në një klub nate në Palma de Mallorca të Spanjës, ku artisti u godit në fytyrë me një gotë qelqi teksa ishte duke performuar.
Siç shihet edhe në pamjet që janë bërë virale në rrjetet sociale, gota u përplas dhe u copëtua në fytyrën e reperit, duke i shkaktuar plagë dhe gjakderdhje. Menjëherë pas incidentit, Hades66 ndërpreu koncertin dhe zbriti nga skena në përpjekje për të identifikuar personin që e kishte sulmuar.
Sipas mediave spanjolle, autori i dyshuar nuk u identifikua menjëherë. Megjithatë, më vonë reperi publikoi disa video në “Instagram”, ku pretendohet se anëtarë të grupit të tij kishin identifikuar të riun e dyshuar për sulmin.
Në një prej videove të publikuara në rrjetet sociale shihet një person i shtrirë në tokë duke u goditur nga disa persona. Në një tjetër postim, artisti shfaqet me një fashë në hundë dhe i drejtohet autorit të dyshuar me fjalët: “Jam në Mallorca, më shkruaj në DM që të takohemi.”
Nuk ka ende një konfirmim zyrtar nga autoritetet spanjolle nëse personi që shfaqet në videot e publikuara është i njëjti që hodhi gotën drejt artistit, ndërsa rrethanat e incidentit mbeten të paqarta.