Resorti i ri në Wonsan, propaganda e Kim Jong-un dhe luksi i shfrenuar i kupolës drejtuese

Resorti i ri në Wonsan, propaganda e…

Kim Jong-un promovon një resort luksoz në Wonsan, i hapur vetëm për vendasit, mes shfaqjeve propagandistike dhe kufizimeve të rrepta

Në një atmosferë që përngjan më shumë me një film surreal sesa me realitetin e përditshëm të Koresë së Veriut, Kim Jong-un është shfaqur pranë një pishine në resortin e sapondërtuar “Wonsan Kalma”, duke pirë një pije freskuese dhe duke tymosur cigare, ndërsa ushtarakët rreshqisnin në rrëshqitëset ujore të kompleksit.

Resorti ndodhet në bregun lindor të vendit dhe konsiderohet një projekt ambicioz i qeverisë për të zhvilluar turizmin e brendshëm. Ndërsa Pheniani e cilëson këtë investim si një gur themeli për hapjen ndaj turistëve të huaj në të ardhmen, për momentin ai mbetet i rezervuar vetëm për qytetarët koreanoveriorë.

Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA raportoi se Kim, i veshur me kostum të errët dhe kravatë bezhë, e cilësoi këtë resort si “një nga arritjet më të mëdha të vitit”. Ai u shfaq së bashku me vajzën e tij Kim Ju-ae – e përfolur gjithnjë e më shumë si pasardhësja e tij – dhe bashkëshorten Ri Sol-ju.

Në sfond, turistët vendas shijonin rrëshqitëset ujore dhe ambientet argëtuese, ndërsa të qeshurat e tyre përhapeshin në kompleks. Sipas autoriteteve, resorti përfshin shërbime tregtare, ambiente sportive dhe rekreative që synojnë të rrisin cilësinë e pushimeve për publikun vendas.

Kim shprehu bindjen se ky kompleks do të shndërrohet në një qendër turistike të njohur ndërkombëtarisht, duke shtuar se “valët e lumturisë në këtë parajsë bregdetare do ta forcojnë famën e saj”. Retorika propagandistike nuk mungoi, duke vënë në pah ambicien për lavdi globale.

Resorti parashikohet të presë deri në 20,000 vizitorë në vit, por hyrja për të huajt mbetet e ndaluar për shkak të kufizimeve të vazhdueshme dhe kontrollit të rreptë kufitar nga autoritetet.

Ndërkohë që imazhet luksoze nga resorti shpërndahen nga mediat zyrtare, pjesa dërrmuese e popullsisë së Koresë së Veriut vijon të përballet me mungesa thelbësore dhe kushte të vështira jetese – kontrast që mbetet në thelb të realitetit koreano-verior.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit