Reuters: Trump dhe Aleatët rrezikojnë Samitin e NATO-s në Tiranë

Reuters: Trump dhe Aleatët rrezikojnë Samitin e…

Planet që Shqipëria të organizojë samitin e ardhshëm të NATO-s janë vënë zyrtarisht në pikëpyetje të mëdha. Sipas një raportimi ekskluziv nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters”, administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe disa nga vendet anëtare të Aleancës kanë shprehur rezerva të forta për zhvillimin e këtij eventi në Tiranë, duke vendosur si shkak kryesor nivelin e ulët të shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen.

Reuters, duke cituar si burime një diplomat të NATO-s, një zyrtar evropian dhe tre persona të tjerë në dijeni të diskutimeve, bën me dije se në draftin e ri të projekt-deklaratës për samitin që do të mbahet javën e ardhshme në Ankara, Shqipëria nuk përmendet më si vend pritës. Ky ndryshim bie ndesh me atë që ishte rënë dakord më parë në samitin e Hagës, ku Tirana ishte parashikuar si destinacioni pasardhës.

Në versionin më të fundit të këtij dokumenti, liderët e NATO-s shprehin vetëm pritshmërinë për takimin e radhës, por duke lënë bosh dhe pa përmendur vendin apo datën e organizimit.

Burimet sqarojnë se kjo lëvizje vjen si një përpjekje e aleatëve evropianë për të shmangur përplasjet dhe tensionet me presidentin Donald Trump, i cili njihet për qëndrimet e tij të prera sa i përket rritjes së detyrueshme të buxheteve ushtarake nga vendet anëtare. Një nga zyrtarët deklaroi se nëse samiti do të mbahej në Tiranë, niveli aktual i investimeve të Shqipërisë në mbrojtje do të ngjallte pakënaqësi direkte te Trump, duke sjellë edhe një jehonë mjaft negative në mediat ndërkombëtare.

Në samitin e kaluar të Hagës, vendet anëtare ranë dakord për një plan ambicioz për të rritur shpenzimet e mbrojtjes deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) brenda dhjetë viteve. Ndërkohë, Shqipëria renditej ndër ato vende që ende nuk kishte prekur as objektivin minimal prej 2% të PBB-së.

I pyetur nga Reuters lidhur me këtë situatë, një zëdhënës i qeverisë shqiptare u përpoq të minimizonte rëndësinë e fshirjes nga drafti, duke u shprehur se “projektet janë projekte, jo vendime” dhe se dokumenti është ende në fazë negociatash e mund të ndryshojë.

Po ashtu, qeveria shqiptare bëri me dije për Reuters se po finalizon një paketë masash fiskale me synim rritjen e buxhetit për mbrojtjen dhe sigurinë në 2.6% të PBB-së gjatë vitit 2026, në përputhje me metodologjinë e kërkuar nga NATO.

Pavarësisht paqartësive dhe presionit nga Uashingtoni, jo gjithçka duket e humbur për Tiranën zyrtare. Një diplomat evropian u shpreh optimist për agjencinë e lajmeve, duke theksuar se përpjekjet e Shqipërisë për rritjen e buxhetit mund të mjaftojnë.

“Ata po rrisin shpenzimet. Do të shohim se ku do të përfundojë kjo, bur unë ende besoj se samiti i ardhshëm do të mbahet në Shqipëri”, deklaroi ai për Reuters, duke lënë të hapur mundësinë e një rrotacioni pozitiv në momentet e fundit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit