Revolta në burgun e Pisas ‘live’ në Tik Tok, mes organizatorëve 3 shqiptarë

Revolta në burgun e Pisas ‘live’ në…

Katër të burgosur, tre shqiptarë dhe një kolumbian, janë marrë të pandehur si organizatorë të revoltës së 1 tetorit në burgun Don Bosco në Pisa të Italisë. Sipas mediave italiane, shqiptarët e akuzuar janë Ilber Arshi, 39 vjeç, Andrea Petroniq, 43 vjeç dhe Daniel Myrtaj, 24 vjeç. Ky i fundit dyshohet se realizoi transmetimin “live” të revoltës në TikTok dhe përballet edhe me akuzën e përdorimit të paligjshëm të telefonit në burg. Organizatori i katërt është kolumbiani Jerson German Bolanos, 39 vjeç.

Përveç organizimit të trazirave, katër të pandehurit akuzohen edhe për dëmtim të pronës, pasi gjatë revoltës u shkaktuan dëme të konsiderueshme në sektorin ku vuanin dënimin. Ngjarja nisi rreth orës 19:00 dhe përshkallëzoi në përplasje fizike mes të burgosurve dhe efektivëve të Policisë Penitenciare, ndërsa në burg u dërguan edhe autoambulanca për ndërhyrje dhe ndihmë ndaj të lënduarve. Sipas gjyqtarit që po heton paraprakisht çështjen, Domenico Vatrano, të përfshirët kryen akte dhune, kërcënime dhe rezistencë ndaj urdhrave të forcave të rendit.

Për shkak të rrezikshmërisë, katër të akuzuarit janë transferuar në burgje të tjera të Toskanës, nën masa më të rrepta sigurie. Autoritetet kanë identifikuar deri tani edhe 16 të burgosur të tjerë të dyshuar për pjesëmarrje në revoltë, ndërsa vijon puna për identifikimin e personave të tjerë. Gjatë transmetimit në TikTok, disa të burgosur pretenduan se ishin dhunuar nga gardianët me shkopinj gome dhe kërkuan më shumë privatësi, duke deklaruar se dëshironin të flisnin lirshëm në qelitë e tyre pa frikën e përgjimit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit