Revolta nuk ndalet, qytetarët bëjnë thirrje për një tjetër protestë: Nesër në orën 10:00 në Sheshin “Skënderbej”

Revolta nuk ndalet, qytetarët bëjnë thirrje për…

Pas protestës kombëtare të 28 Nëntorit, qytetarët kanë bërë thirrje për t’u rikthyer sërish në shesh ditën e nesërme. Mesazhi i shpërndarë pas tubimit të sotëm është i qartë: protesta vijon dhe mobilizimi nuk duhet të ndalet.

Thirrja është që qytetarët të mblidhen nesër, më 29 Nëntor, në orën 10:00, në Sheshin Skënderbej, për të vazhduar qëndresën dhe për të kërkuar ndryshimin që kanë dalë të kërkojnë në rrugë.

Dita e sotme shënoi një tjetër moment të rëndësishëm të protestave që vijojnë prej muajsh. Në Tiranë u bashkuan të rinj, studentë, qytetarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe shqiptarë të ardhur nga diaspora, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe fundin e një klase politike që, sipas protestuesve, ka mbajtur vendin peng për 36 vite.

Gjatë protestës pati përplasje me policinë, ndërhyrje me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë me presion, ndërsa pamjet e shpërndara gjatë ditës dokumentuan edhe raste të përdorimit të forcës ndaj protestuesve, mes tyre edhe të moshuar. Gazi lotsjellës preku gjithashtu qytetarë që ndodheshin në ambiente biznesesh pranë zonave të protestës.

Megjithatë, thirrja e protestuesve është që askush të mos tërhiqet. Nesër, në orën 10:00, ata kërkojnë një tjetër bashkim në Sheshin Skënderbej.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit