Rexhep Vathi shkoi për ngushëllim në familjen e viktimës pasi e vrau

Rexhep Vathi shkoi për ngushëllim në familjen…

Prokuroria e Korçës ka përfunduar hetimet për vdekjen tragjike të 18-vjeçarit Antonio Karafili në Voskopojë, ngjarje që fillimisht u trajtua si vetëvrasje, por pas 7 viteve hetime është provuar si një vrasje e inskenuar.

 

Organi i akuzës ka vendosur të pushojë çështjen ndaj Rexhep Vathit, një prej autorëve të dyshuar, për shkak të vdekjes së tij në gusht të vitit 2024. Ndërkohë, dosja është dërguar për gjykim me të pandehur të vetme Kejsi Spaillarin, ish-e dashura e viktimës.

 

Sipas dosjes hetimore Nr.1420, të siguruar nga Ora News, Antonio Karafili është mbytur me një çarçaf dhe më pas është varur në një pemë, për të simuluar vetëvrasje. Autorë të kësaj ngjarjeje janë identifikuar Rexhep Vathi dhe Kejsi Spaillari.

 

Sipas provave biologjike, dy të rinjtë kanë bashkëpunuar në eliminimin e 18-vjeçarit, dyshohet për motive xhelozie, pasi Antonio kishte zbuluar një lidhje tjetër të Kejsit.

 

Një element tronditës që del nga dëshmitë është fakti se pas ngjarjes, Rexhep Vathi ka shkuar në familjen e Antonios për të shprehur ngushëllime, duke e fshehur rolin e tij në krim. Nëna e viktimës, Stefani Karafili, ka dëshmuar në prokurori se Vathi u paraqit në shtëpinë e tyre së bashku me dy persona të tjerë për të ngushëlluar, një veprim që tashmë shihet si një përpjekje për të humbur gjurmët.

 

Dëshmia e saj ka zbuluar edhe momente të rëndësishme të ditës tragjike, ku Antonio ishte parë për herë të fundit me Kejsin dhe Rexhepin, të cilët kishin shkuar në Voskopojë, një zonë ku Vathi qëndronte shpesh për të vendosur kosheret e bletëve që sillte nga Kruja. E ëma e viktimës kujton se Kejsi ishte dukshëm e tronditur gjatë kthimit për në qytet dhe shmangte komunikimin.

 

Trupi i pajetë i të riut u gjet nga vetë familjarët, të cilët, nën drejtimin e Kejsit, shkuan në vendin ku ai ishte varur. Përpjekjet për ta çliruar nga çarçafi ishin të kota derisa u përdor një thikë që u mor nga lokali ku qëndronte Vathi. Vetëm pasi trupi u zbrit nga pema, familja njoftoi autoritetet.

 

Ndërkohë, Kejsi Spaillari pas ngjarjes ka emigruar në Kanada ku ka krijuar një jetë të re. Prokuroria është në pritje të lëshimit të një urdhër-arresti ndërkombëtar për të, me qëllim ekstradimin dhe përballjen e saj me drejtësinë shqiptare.

 

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit