
Rezart Taçi, biznesmeni dhe ish-pronari i Uzinës së Ballshit, është në arrati dhe në kërkim nga drejtësia shqiptare për transaksione të dyshimta financiare me kompanitë e tij. Biznesmeni i hidrokarbureve, i shpallur në kërkim ndërkombëtar në vitin 2021 u vu nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme si pjesë e një grupi kriminal me shqiptarë e italianë, të angazhuar në pastrimin e 18,3 milionë eurove të mafias italiane në Shqipëri.
Ndërkohë gjatë kësaj të marte, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit ka dënuar me 21 vite burg në total Bledar Lilon dhe Artur Ballën, shoferin dhe kunatin e biznesmenit Rezart Taçi. Konkretisht 11 vite burg për Artur Ballën dhe 10 vite burg për Bledar Lilon, me akuzat për pastrim parash, grup kriminal.
Dyshohet se personat e sipërpërmendur, kanë bashkëpunuar me dy italianë, Francesco Zummo e Fabio Petruzzella, si edhe një zviceran në skemën e pastrimit të parave. 18.3 mln euro të mafies italiane ‘Cosa Nostra’ u bllokuan në një bankë në Shqipëri në nëntor 2021. Sipas SPAK, shuma prej 18.3 mln eurosh do pastroheshin përmes lëvizjes në disa banka në disa shtete dhe do merrte përqindjen.