Rezultatet e SPAK më 2020, vetëm 38% e personave në hetim, morën arrest me burg

Rezultatet e SPAK më 2020, vetëm 38%…

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) hetoi vitin e kaluar 746 persona, prej të cilëve 288 morën masën e sigurisë arrest me burg, sipas të dhënave zyrtare në raportin vjetor 2020, që struktura kundër krimit dhe korrupsionit dorëzoi në Kuvend.

Masa e sigurisë arrest me burg rezultoi vetëm për 38% të personave të marrë në hetim, ndërsa buxheti i shtetit shpenzoi për funksionin e SPAK rreth 361 milionë lekë, ose 3 milionë euro më 2020.

Nga 746 persona nën hetim, 515 prej tyre janë hetuar me masa sigurimi, ndërsa 231 persona janë hetuar në gjendje të lirë.

TE DHENA

288 persona janë hetuar me masën e sigurimit “arrest në burg”, nga të cilat 257 janë ekzekutuar ndërsa për 31 persona është vendosur masa e sigurimit në mungesë dhe nuk janë ekzekutuar.

Masa e sigurimit “arrest në burg” për 198 persona është vendosur për vepra penale të lidhura me krimin e organizuar, për 28 persona është vendosur për vepra penale të lidhura me korrupsionin, ndërsa për 62 persona është vendosur për vepra penale të tjera.

Masa e sigurimit “arrest në shtëpi” është vendosur për 57 persona nën hetim. 154 persona nën hetim janë hetuar me masën e sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, 1 person për masën e sigurimit “ndalimi i daljes jashtë shtetit”, 2 persona me masë sigurimi “garanci pasurore”, 2 persona me masën e sigurimit “shtrimi i përkohshëm në një spital psikiatrik”, 10 persona me masën e sigurimit “pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”.

Përgjatë vitit 2020, SPAK ka përdorur metodën e përgjimit për 91 procedime penale. Kjo veprimtari është ndjekur nga dhjetë Oficerë të Policisë Gjyqësore të Policë së Shtetit.

Sipas të dhënave zyrtare gjatë vitit 2020, për veprat penale nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, janë interceptuar rreth 1175 subjekte përgjimi (autorë të dyshuar apo që kanë dijeni për vepra penale), 1373 pajisje fundore (pajisja/numri telefonik i subjektit në përgjim) ku është rezultuar në ndalimin e rreth 171 personave të dyshuar për kryerje të veprave penale.

Përgjimi i komunikimeve elektronike të subjekteve që dyshohen për kryerje të veprave penale, është një veprimtari që ndodh në kohë reale, në mënyrë të pandërprerë (sipas afateve të përcaktuar në ligj), thuhet në raportin e SPAK.

SPAK ankohet se nevoja për përgjime është më e lartë se burimet njerëzore në dispozicion që ato kanë.

Në vitin 2020, pjesën më të madhe të procedimeve penale ku është kërkuar përgjimi, e kryesojnë ato çështje të hetuara për veprën penale të korrupsionit me 49 procedime penale, ku janë përgjuar 322 persona.

Më pas janë çështjet penale të hetuara për veprën penale të grupit të strukturuar kriminal në trafikimin e lëndëve narkotike me 36 procedime penale 788 persona të përgjuar./Monitor.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit