Operacionet e fluturimeve u pezulluan përkohësisht në aeroportin e Katanias, në Siçili, një prej destinacioneve kryesore turistike të Italisë, pasi shpërthimi vullkanik në malin Etna, aty pranë, nxori re hiri dhe tymi dhe mbuloi qiellin të shtunën.
“Pas uljes së nivelit të alarmit për aktivitetin vullkanik nga kuq në portokalli, rifillimi i operacioneve të fluturimeve është autorizuar me efekt të menjëhershëm.” – deklaroi aeroporti i Katanias në një njoftim.
Kjo pasoi një njoftim të mëparshëm të aeroportit të Katanias, sipas të cilit aktiviteti shpërthyes i Etnës dhe çlirimi i hirit vullkanik në atmosferë kishin detyruar mbylljen e hapësirës ajrore.
Një shtëllungë tymi mund të shihej duke u ngritur nga maja e vullkanit në një kamerë online të publikuar në faqen e internetit të Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, i cili monitoron aktivitetin e Etnës. Mali Etna është një prej vullkaneve më aktivë në botë dhe vullkani më i lartë në Evropë.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregonin shtëllunga të mëdha tymi dhe hiri, të ndriçuara nga shkëlqimi i shpërthimit, duke u ngritur në qiell pas aktivitetit të fundit vullkanik.