
Pas më shumë se një jave mungese, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, është shfaqur në publik me një fjalim televiziv, ku deklaroi se “regjimi sionist pothuajse është shembur” dhe akuzoi SHBA-të se u përfshinë në luftë vetëm për të shmangur shkatërrimin e tij.
“Ndihem i detyruar të përgëzoj kombin iranian për fitoren ndaj regjimit të rremë sionist,” tha ai, duke theksuar se goditjet e Iranit kanë tronditur seriozisht Izraelin. Sipas tij, edhe SHBA hyri në luftë për të shpëtuar Izraelin, por “nuk arriti asnjë rezultat strategjik”. Khamenei përmendi sulmin iranian ndaj bazës ajrore amerikane Al-Udeid, si dëshmi e fuqisë së Republikës Islamike.
Ai gjithashtu akuzoi presidentin amerikan Donald Trump për “teatër politik”, duke thënë se kërkesa e tij për dorëzimin e Iranit tregoi qëllimin e vërtetë të SHBA-ve. “Ata përdorin justifikime si raketat apo programi bërthamor, por në të vërtetë duan nënshtrimin tonë. Kjo nuk do të ndodhë kurrë,” theksoi ai.
Khamenei lëshoi edhe një paralajmërim të qartë për çdo vend që mund të ndërmarrë sulme të mëtejshme ndaj Iranit: “Çdo agresion i ri do të ketë një kosto të rëndë. Ne kemi kapacitetin të godasim përsëri baza të rëndësishme amerikane.”
Në fund të fjalimit, ai përshëndeti unitetin kombëtar të popullit iranian, duke e cilësuar si mbështetje të pakushtëzuar për forcat e armatosura në një moment kritik për vendin.
Deklaratat e Khameneit erdhën pak ditë pas një operacioni ajror amerikan të ndërmarrë më 22 qershor, ku u goditën tre qendrat bërthamore iraniane Fordo, Natanz dhe Esfahan. Sulmi u konfirmua nga Donald Trump në rrjetin Truth Social, duke e quajtur atë “shumë të suksesshëm”. Ai shtoi se avionët amerikanë ishin kthyer pa pasoja në bazat e tyre, ndërsa mediat raportuan për përdorimin e bombarduesve strategjikë B-2 të nisur nga baza në Guam.