Afera e radhës me tenderat publikë mban firmat e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe të oligarkut të njohur të ndërtimit, Paqsor Buzi. Përmes një procedure prokurimi me hije të fortë skualifikimesh “me urdhër nga lart”, kompania “G.P.G. COMPANY” ku Buzi zotëron 50% të aksioneve, është shpallur fituese për rikonstruksionin e rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa (Loti 3).

Edhe pse procedurat e prokurimit publik duhet të garantojnë ruajtjen e parave të taksapaguesve, ARRSH ka vendosur të “dhurojë” një fond gjigant në duart e një biznesmeni të përfshirë më parë në skandale e hetime për skema mashtruese.

Skema e abuzimit në shifra:
-
Fondi Limit: 1,364,927,749.30 Lekë pa TVSH (rreth 13.6 miliardë lekë të vjetra).
-
Oferta Fituese e “G.P.G. COMPANY”: 950,336,520.00 Lekë pa TVSH.

Skualifikimi masiv: 5 kompani ofruan më pak, por u nxorrën jashtë loje
Për t’i hapur rrugën fitores së paracaktuar të “G.P.G. COMPANY”, komisioni i vlerësimit të ofertave pranë ARRSH-së ka përdorur me ftohtësi “fshesën” e skualifikimeve duke i lënë me 0 pikë pesë operatorë ekonomikë që ofruan vlera dukshëm më të ulëta:
-
EUROKOS HOLDING SH.P.K. – Ofroi 865,000,006.50 Lekë (rreth 85.3 milionë lekë më pak se Buzi) – Vlerësuar me 0 pikë.
-
OE “ALBAVIA” SHPK – Ofroi 832,351,490.25 Lekë (plot 117.9 milionë lekë më pak se Buzi) – Vlerësuar me 0 pikë.
-
BOE “RAFIN COMPANY” & “RRUGA URA ASFALTIM NR.2” – Ofroi 867,946,729.13 Lekë – Vlerësuar me 0 pikë.
-
BOE “SHKELQIMI 07”, “BESTA” & “VELLEZERIT HYSA” – Ofroi 889,029,960.00 Lekë – Vlerësuar me 0 pikë.
-
OE “PE – VLA – KU” SHPK – Ofroi 940,035,589.50 Lekë – Vlerësuar me 0 pikë.
Përveç këtyre, edhe kompania “BAMI HOLDING” SHPK me ofertën 926,234,790.60 Lekë u skualifikua, duke e lënë rrugën krejtësisht të hapur për Paqsor Buzin.




Kush është Paqsor Buzi? Biznesmeni i “G.P.G. COMPANY” nuk është një emër i panjohur për drejtësinë e as për portalet e lajmeve. I arrestuar më parë si pjesë e skemave mashtruese me TVSH që i shkaktuan shtetit dëme miliarda lekë, ai vijon të mbetet i preferuari i tenderave të ushqyer nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
Nën drejtimin e titullarit të ARRSH-së, Ami Kozeli, procedurat me frymë të hapur paracaktimi vijojnë pa asnjë pengesë, ndërsa miliona euro të buxhetit të shtetit përfundojnë sërish në xhepat e të njëjtëve emra, të cilët për habi duken se gëzojnë imunitet nga SPAK.
