Rilindja bën kërdinë në Vlorë/ 500 mln lekë rikonstruksion spitali, firmës që ofroi 100 milionë më shumë

Rilindja bën kërdinë në Vlorë/ 500 mln…

Çudirat e Rilindjes nuk kanë të sosur dhe nëse do ta kuptosh këtë hidhu një sy tenderëve publikë.

Një nga sektorët që konsiderohet si “minierë ari” për tenderët ku mbushin thasët miqtë e Rilindjes, janë pikërisht spitalet shqiptare.

Spitali Rajonal Vlorë i drejtuar nga Brunilda Mersini, rezulton të jetë njëri prej këtyre.

Sipas një investigimi nga “JOQ-Albania”, mësohet se për të rikonstruktuar shërbimin e rianimacionit të Spitalit Rajonal të Vlorës, do të paguhen nga taksat tona rreth 500 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Nëse ky investim do të bëhej vërtetë për përmirësimin e këtij shërbimi tepër të rëndësishëm spitalor, nuk do të kishte as më të voglin problem, por duke gjykuar nga mënyra se si është zhvilluar tenderi, ka shumë mundësi që një pjesë e mirë e këtyre parave të kenë përfunduar në xhepat e dikujt.

Kështu, tenderi mban numrin e referencës “REF-60402-06-08-2020” dhe ka për objekt: “Rikonstruksion i shërbimit të rianimacionit të Spitalit Rajonal Vlorë” me Fond limit 43,157,223 lekë të reja pa TVSH.

Duke hulumtuar të dhënat e publikuara, mëson se kanë marrë pjesë 7 operatorë ekonomikë. Prej tyre, tre operatorë ekonomikë nuk kanë paraqitur fare vlerë, çka do të thotë se 43% e pjesëmarrësve në tender nuk kanë ofruar fare ofertë.

Pra gati gjysma e pjesëmarrësve kanë qenë fiktivë, çka të bën të dyshosh se fituesi i tenderi është paracaktuar dhe se kjo procedurë është bërë sa për sy e faqe.

Por çuditë nuk mbarojnë këtu. Fitues është shpallur “2Z Konstruksion“ shpk me administrator dhe pronar të vetëm shtetasin Zani Zoga.

Kjo kompani ka ofruar vlerën 43,055,862 lekë të reja pa TVSH. Duke e krahasuar me fondin limit, rezulton se kjo vlerë është sa 99,76% e tij, çka përbën një dyshim të dytë që ky fitues është paracaktuar dhe se një pjesë e mirë e parave do të futen në xhep të organizatorëve të tenderit.

Por sa mund të jetë kjo shifër që do të përfundojë në këto xhepa? Një shpjegim mund të na e japë diferenca e vlerës së ofruar mes fituesit dhe firmës me ofertën më të lirë.

Kështu kompania e cila ofroi vlerën më të lirë kishte ofruar 34,455,903 lekë të reja pa TVSH ose rreth 103 milionë lekë të vjetra me TVSH më pak.

Kjo do të thotë se të paktën 103 milionë lekë të vjetra kanë përfunduar në xhepat e dikujt. Jo pak apo jo?

Sigurisht siç ndodh rëndom në këto raste, firma që ofroi këtë diferencë më pak, u skualifikua për mosplotësim kriteresh.

/Burimi: JOQ-Albania/Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit