Rindërtuan shkollën pa leje ndërtimi, APP përjashton me 1 vit nga tenderat firmën "Asi-2A Co"

Rindërtuan shkollën pa leje ndërtimi, APP përjashton…

Prokurimet publike në Shqipëri vijojnë të mbeten një nga çështjet më problematike të administrimit të parave të taksapaguesve. Ndërsa Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka hapur me dhjetëra dosje për figura të larta politike, nga ish-zëvendëskryeministra e ministra, te deputetë e drejtorë të mëdhenj, panorama shfaqet e njëjtë edhe në nivelin vendor, ku bashkitë shpesh kthehen në thjesht notarizuese të procedurave të dyshimta tenderuese.

Një rast flagrant është evidentuar së fundmi në Bashkinë e Vlorës, institucion që prej kohësh vuan nga paqëndrueshmëria e drejtimit lokal. Dokumete zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) zbulojnë se një projekt publik për rikonstruksionin e një shkolle është kryer plotësisht jashtë kornizës ligjore: pa leje ndërtimi dhe pa oponencë teknike.

Nëse një qytetar i thjeshtë në Vlorë do të ngrinte qoftë edhe një mur rrethues pa leje, inspektoriatet dhe policia do të ndërhynin me shpejtësi për të çuar dosjen në prokurori. Ndërkaq, kur bëhet fjalë për zyrtarë të lartë dhe tendera qindra mijëra eurosh, standardi i zbatimit të ligjit duket se ndryshon rrënjësisht.

Më 31 korrik 2026, Drejtoria Juridike dhe e Profesionalizmit pranë Agjencisë së Prokurimit Publik vendosi të penalizojë kompaninë “Asi-2A Co”, duke i hequr të drejtën e pjesëmarrjes në procedurat e prokurimit publik për një periudhë 12-mujore.

Nga vendimi i APP-së:

“Pas verifikimeve, APP ka nisur procedimin administrativ për përjashtimin e operatorit ekonomik ‘Asi-2A Co’ nga e drejta për të fituar kontrata publike, për keqinformim për qëllime kualifikimi në procedurën e prokurimit me objekt ‘rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare ‘Avni Rustemi’, me fond limit 53.389.166 lekë pa Tvsh, zhvilluar në datë 30.11.2023, nga Bashkia Vlorë.”

Vendimi i APP-së erdhi pas gjetjeve të përcaktuara në raportin përfundimtar të auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sipas rregullores në fuqi, APP përjashton operatorët ekonomikë nga 3 muaj deri në 3 vjet në rastet kur dorëzohen dokumente me të dhëna të rreme ose bëhet keqinformim për qëllime kualifikimi.

KLSH: Punimet u kryen pa leje ndërtimi dhe pa oponencë teknike

Raporti i auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi procedurat e ndjekura nga Bashkia e Vlorë ka nxjerrë në dritë shkelje të rënda ligjore në tenderin me vlerë mbi 500 mijë euro.

Nga raporti i KLSH-së:

“Nga shqyrtimi i dokumentacionit pjesë e dosjes së prokurimit, rezulton se Bashkia Vlorë nuk është pajisur me ‘leje ndërtimi/infrastrukture’ dhe ‘oponenca teknike’. Zbatimi i kontratës së sipërmarrjes në mungesë të lejes së ndërtimit përbën një risk të shtuar për sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm të territorit, si dhe për plotësimin e kushteve për kryerjen e punimeve.”

Raporti nënvizon se miratimi i projektit pa oponencë teknike rrit rrezikun e realizimit të punimeve jashtë standardeve të përcaktuara ligjore. KLSH ka ngarkuar me përgjegjësi direkte ish-titullarin e autoritetit kontraktor, ish-kryetarin e Bashkisë Vlorë, Dritan Leli (D.L).

Punime “shkel e shko” dhe rrezik për jetën e nxënësve

Përveç shkeljeve procedurale dhe ligjore, zbatimi i projektit në terren ka pasur pasoja direkte në sigurinë e shkollës 9-vjeçare “Avni Rustemi”. Edhe pse për këtë rikonstruksion u shpenzuan mbi gjysëm milion euro, mediat lokale në Vlorë kanë denoncuar vazhdimisht cilësinë e dobët të punimeve.

Ndër problematikat më shqetësuese të raportuara ka qenë lënia e kabujve të energjisë elektrike të zhveshur në ambientet e shkollës, duke krijuar një rrezik të hapur për jetën e nxënësve.

Mbetet për t’u parë nëse organet e drejtësisë do të nisin një hetim të plotë penal ndaj zyrtarëve përgjegjës dhe firmës zbatuese, apo nëse veprimet ligjore do të mbeten vetëm në kuadrin e masave administrative.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit