"Ringjallet" Tirana, mposht Partizanin për herë të parë pas 10 ndeshjesh dhe largohet nga fundi i tabelës

“Ringjallet” Tirana, mposht Partizanin për herë të…

Në një prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit, Tirana ka marrë një fitore të madhe përballë rivalit të përjetshëm Partizanit, duke fituar pastër 3-0 në “Air Albania”. Ky ishte suksesi i parë i bardhebluve në derbi pas më shumë se dy vitesh e gjysmë, që vjen në një moment vendimtar në luftën për mbijetesë.

Zharmuni ishte protagonisti absolut i sfidës me dy gola në pjesën e parë – një me kokë në minutën e 19-të pas një goditjeje dënimi që goditi traversën, dhe tjetri nga pika e bardhë në minutën e 41-të, pas një faulli me dorë të Ismajlit në zonë.

Në pjesën e dytë, bardheblutë ruajtën kontrollin, dhe gjetën edhe golin e tretë me anë të Ernest, i cili përfitoi nga një gafë e Sembenes, për të fituar penalltinë që e ktheu vetë në gol. Në minutën e 88-të, Keko shënoi një supergol nga distanca, por ai u anulua nga VAR për pozicion jashtë loje.

Me këtë fitore, Tirana i jep fund një serie prej 10 ndeshjesh pa fitore në derbi, duke shënuar fitoren e parë që prej 2 tetorit 2022 ndaj të kuqve. Po ashtu, kjo fitore u shërben bardhebluve për t’u larguar nga fundi i tabelës, duke kapur vendin e tetë me 35 pikë.

Bazuar në renditjen aktuale të Kategorisë Superiore, Tirana ka lënë pas Teutën dhe Laçin, ndërsa Partizani, pavarësisht humbjes, qëndron në vendin e katërt me 47 pikë, vetëm një më shumë se Elbasani.

Në javën e ardhshme, Tirana ka përballë një tjetër sfidë kyçe për mbijetesën, ndaj Skënderbeut në transfertë. Ndërkohë Partizani pret kryesuesit e Egnatias në një përballje të fortë për “Final 4”.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit