Rinumërimi në Tiranë, PS dhe PD me parregullsitë më të mëdha

Rinumërimi në Tiranë, PS dhe PD me…

Nga rinumërimi i 35% të kutive të votimit në Tiranë, PD-së i hiqen 219 vota dhe PS-së 190, ndryshojnë rezultatet edhe për PSD dhe Nisma-Shqipëria Bëhet

Procesi i rinumërimit të kutive të votimit në Qarkun e Tiranës ka sjellë ndryshime të dukshme në rezultatin e disa forcave politike. Deri tani janë hapur 433 nga 1282 kuti gjithsej, duke përfaqësuar rreth 35% të totalit, ndërsa vijon ende numërimi për 849 kutitë e mbetura.

Nga të dhënat e fundit, Partisë Demokratike i janë zbritur 219 vota në krahasim me rezultatin paraprak, ndërsa Partia Socialiste ka humbur 190 vota. Ky rinumërim ka ndikuar edhe në partitë më të vogla, si koalicioni Nisma–Shqipëria Bëhet dhe Partia Socialdemokrate e Tom Doshit, të cilat kanë pësuar gjithashtu ulje të numrit të votave.

Ndërkohë, koalicionit Euroatlantik të drejtuar nga Lulzim Basha i janë rikthyer 13 vota, të cilat ishin refuzuar më 11 maj. Edhe koalicionit Djathtas për Zhvillim i janë shtuar 6 vota, të cilat ishin hequr gabimisht gjatë numërimit fillestar.

Rinumërimi nisi pas kërkesës së dy anëtarëve të Partisë Demokratike në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve, Ledio Braho dhe Elvis Cefa. Megjithatë, KAS rrëzoi një kërkesë tjetër të PD-ASHM për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve të 11 majit.

Ky proces është cilësuar nga vëzhguesit si një test i rëndësishëm për integritetin zgjedhor dhe qartësinë e rezultateve përfundimtare. Me përfundimin e rinumërimit në Tiranë, i gjithë fokusi tashmë kalon tek Qarku i Fierit, ku është vendosur të rinumërohen të gjitha kutitë për partitë dhe kandidatët.

Autoritetet zgjedhore pritet të publikojnë së shpejti një përditësim të ri për ecurinë e numërimit në qarqet e tjera, në përpjekje për të garantuar transparencë dhe besueshmëri në procesin zgjedhor.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit