Robert Duka është 50-vjeçari nga Vlora, i dyshuar si autor i grabitjes së një banke të nivelit të dytë në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, nga ku u morën rreth 60 mijë euro.
Ngjarja ndodhi më 2 nëntor, rreth orës 10:45, kur Duka hyri në ambientet e bankës i maskuar, i veshur me rroba të errëta dhe i armatosur.
Fillimisht, ai kërcënoi punonjësin e sigurisë dhe më pas iu drejtua arkëtares, së cilës, nën kërcënimin e armës, i kërkoi t’i dorëzonte paratë. Pasi arriti të marrë shumën prej 60 mijë eurosh, autori u largua nga vendi i ngjarjes me një monopatinë elektrike, duke zgjedhur një mënyrë të pazakontë arratisjeje për të shmangur përdorimin e një automjeti.
Menjëherë pas grabitjes, policia ngriti pika kontrolli dhe nisi hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, i cili arriti të humbiste gjurmët në rrugët e kryeqytetit.