Rogerti, 20-vjeçari shqiptar që humbi jetën tragjikisht në Itali

Rogerti, 20-vjeçari shqiptar që humbi jetën tragjikisht…

I riu që shihni në foto është Rogert Ajdini, 20-vjeçari shqiptar që humbi jetën tragjikisht mëngjesin e sotëm në një aksident në punë, në zonën e Valtopinës, në provincën e Perugias, Itali. Rogerti jetonte në Trevi së bashku me prindërit dhe vëllain e tij.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 08:30, në zonën e Santa Cristinës, ku i riu po punonte në një kantier për asfaltimin dhe sistemimin e një rruge. Punimet po kryheshin nga një kompani e kontraktuar nga bashkia e Valtopinës.

Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes nga mediat italiane, Rogerti ishte duke drejtuar një rul kompresor, mjet që përdoret për ngjeshjen e asfaltit, kur humbi kontrollin dhe mjeti u përmbys. I riu dyshohet se ra nga mjeti dhe më pas mbeti i shtypur prej tij, duke pësuar plagë fatale.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe personeli mjekësor i 118-s, ndërsa u aktivizua edhe helikopteri i urgjencës Nibbio. Pavarësisht ndërhyrjes së tyre, 20-vjeçari nuk mundi të mbijetonte.

Pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën edhe karabinierët e zonës dhe ata të komandës së Folignos, së bashku me teknikët e shërbimit shëndetësor përgjegjës për sigurinë në punë. Mjeti është sekuestruar, ndërsa autoritetet po hetojnë për të zbardhur shkaqet e sakta të aksidentit dhe për të verifikuar nëse janë respektuar rregullat e sigurisë në kantier.

Sipas mediave italiane, nëna e të riut, pasi mori lajmin tragjik, u nis menjëherë drejt vendit të ngjarjes. Humbja e Rogertit ka tronditur komunitetin ku ai jetonte, ndërsa kryetari i bashkisë së Valtopinës ka shprehur ngushëllimet për familjen e tij.

Ndërkohë, prefekti i Perugias ka njoftuar thirrjen e një takimi më 29 tetor me institucionet përgjegjëse për kontrollet në vendet e punës, me synimin për të forcuar masat e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve, veçanërisht për punonjësit e rinj.

Vdekja e Rogert Ajdinit është një tjetër ngjarje tragjike që rikthen vëmendjen te rreziqet me të cilat përballen punonjësit në kantieret e ndërtimit dhe te rëndësia e garantimit të kushteve të sigurta të punës.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit