Katër shtetas shqiptarë janë lënë në burg në Itali, pasi dyshohen se janë pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në disa grabitje në zonat e Bergamos dhe Udines.
Hetimi nisi pas grabitjes së 6 korrikut në agroturizmin Ca’ Fenile, në Alzano Lombardo, ku autorët morën rreth 70 mijë euro cash dhe tri orë Rolex. Një tjetër grabitje, e ndodhur natën mes 14 dhe 15 korrikut në Lignano Sabbiadoro, dyshohet se është kryer nga i njëjti grup.
Kthesa në hetim erdhi më 15 korrik, gjatë një operacioni në një apartament në Orzinuovi, në provincën e Brescias, që dyshohej se përdorej si bazë e grupit. Brenda banesës u gjetën tufa me kartëmonedha 50 dhe 100 euro, disa prej tyre të djegura.
Sipas hetuesve, paratë lidhen me një grabitje në një vilë në Friuli, ku një sipërmarrës u kërcënua dhe u dhunua, ndërsa autorët i morën rreth 115 mijë euro, një orë Audemars Piguet dhe dy orë të tjera me vlerë.
Hetuesit dyshojnë se grupi vepronte në mënyrë të organizuar, duke përdorur targa të vjedhura, radiomarrëse dhe dhunë ndaj viktimave. Në identifikimin e autorëve ndihmoi edhe dëshmia e vajzës 13-vjeçare të pronarit të agroturizmit, e cila përshkroi grabitësit dhe një prej tyre që mbante një kapele me qëndisje të bardhë.
Në burg ndodhen vëllezërit Kreshnik Miftari, 28 vjeç, dhe Valter Miftari, 26 vjeç, si dhe Alfret Jakimi, 29 vjeç, dhe Elvi Baci, 36 vjeç. Dy të fundit kanë ankimuar masën e sigurisë.
Një tjetër i dyshuar, E.M., 37 vjeç, ka arritur të arratiset. Sipas autoriteteve, ai dyshohet për përfshirje në grabitjet dhe për menaxhimin e një tjetër baze në Bergamo, ku u sekuestruan rreth 10 mijë euro cash, sende ari, telefona dhe një pasaportë false. Ndaj tij është caktuar masa “arrest me burg”.