Cristiano Ronaldo ka reaguar ashpër ndaj një episodi të ndodhur në futbollin saudit, ku disa tifozë kanë përdorur emrin e të ndjerit Diogo Jota për të provokuar shokun e tij të skuadrës te Portugalia, Ruben Neves.
Jota, ish-sulmuesi i Liverpool, humbi jetën në një aksident automobilistik në moshën 28-vjeçare, ndërsa Neves kishte një miqësi të ngushtë me të, pasi kishin luajtur së bashku te Wolverhampton dhe me kombëtaren portugeze.
Para ndeshjes së Al-Hilal ndaj Al-Taawoun, e fituar 6-0 nga skuadra e Neves, një pjesë e tifozëve nisën të thërrisnin vazhdimisht emrin “Jota”, duke synuar të provokonin mesfushorin portugez.
Ronaldo, i cili luan në të njëjtin kampionat me Al-Nassr, nuk e ka kaluar në heshtje episodin. Në një reagim në rrjetet sociale, ai kërkoi që liga të marrë masa të ashpra ndaj tifozëve.
“Liga duhet të reagojë dhe ta dënojë këtë lloj sjelljeje. Kjo nuk është më futboll dhe duhet të ketë kufij. Njerëzit që sillen në këtë mënyrë nuk duhet të lejohen të hyjnë më kurrë në një stadium”, shkroi Ronaldo.
Neves ka zgjedhur edhe vetë ta nderojë kujtimin e mikut të tij. Ai mban tashmë fanellën me numrin 21 te Portugalia në kujtim të Jotas, ndërsa në këmbë ka një tatuazh ku shfaqet duke përqafuar mikun e tij.
Gjatë momentit të provokimit, Neves u pa duke duartrokitur në mënyrë ironike në drejtim të tifozëve dhe më pas ngriti gishtin drejt qiellit. Pas ndeshjes, ai reagoi me tone të forta:
“Thjesht shpresoj që të mos shkojnë të luten më vonë, pas asaj që bënë.”
Diogo Jota humbi jetën së bashku me vëllain e tij, André Silva, në një aksident automobilistik në provincën e Zamorës në Spanjë.