Rrahu shoferin në Pogradec, efektivi i rrugores përjashtohet nga policia

Rrahu shoferin në Pogradec, efektivi i rrugores…

Ditën e djeshme efektivi i rrugores A.S u shfaq duke dhunuar një shofer në Pogradec. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka vendosur përjashtimin e tij nga forcat e policisë.

Për kolegun e tij ështe vendosur trasferimi. Ky i fundit nuk ndërhyri për të ndaluar konfliktin mes efektivit dhe shoferit i cili nuk reagoi ndaj dhunës policore. Mësohet se për efektivët ka nisur edhe hetimi penal nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec.

Reagim i Policisë së Shtetit

Në lidhje me një incident të ndodhur në datën 21.10.2022, rreth orës 15:00, në lagjen nr. 3, Pogradec, ndërmjet 2 punonjësve të Policisë Rrugore dhe drejtuesit të një automjeti, ju sqarojmë se:Bazuar në dëshminë e dhënë në Prokurori, nga shtetasi N. H. (drejtues i automjetit), si dhe në analizën e pamjeve filmike të publikuara në rrjetet sociale, në të cilat shfaqet punonjësi i Policisë Rrugore, shtetasi A. S., në tejkalim të kompetencave që i jep ligji, ndaj drejtuesit të automjetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar përjashtimin e menjëhershëm nga Policia e Shtetit, të punonjësit të Sektorit të Policisë Rrugore Korçë, inspektor A. S.Për këtë punonjës policie ka nisur edhe hetimi penal nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec.

Gjithashtu, është vendosur transferimi në një strukturë tjetër policore, për punonjësin tjetër të Policisë, shtetasin L. H., i cili nuk ka ndërhyrë për të parandaluar veprimin e paligjshëm të kolegut të tij.Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit falënderon mediat për bashkëpunimin dhe i fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të abuzimit me detyrën, sjellje të pahijshme apo tejkalim të kompetencave të punonjësve të Policisë, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm, si dhe ndëshkim të rreptë për çdo shkelje apo cenim të të drejtave dhe lirive të qytetarëve.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit