Rrëfimi i dëshmitares çon drejt zbardhjes totale vrasjen e biznesmenit Nikulaj, si u zbulua ekzekutori portugez

Rrëfimi i dëshmitares çon drejt zbardhjes totale…

Hidhet dritë mbi vrasjen e biznesmenit të njohur Ardian Nikulaj në Shëngjin. Rrëfimet e një vajze, emri i të cilës nuk bëhet i ditur për arsye sigurie, nxjerrin në pah të dhëna që tregojnë se motorin që u përdor në vrasjen e babait të 4 fëmijëve e bleu në Tiranë në afërsi të 21 dhjetorit për llogari të Edmond Haxhias, që dyshohet si organizator i vrasjes për motive gjakmarrje.

Mes tyre ndodhej po ashtu edhe portugezi Ruben Saraiva, i cili sipas prokurorisë është edhe ekzekutor i biznesmenit. Vajza pohon se pasi firmosi kontratën noteriale, motorin e mori portugezi, ndërsa ajo është larguar me makinë.
Të njëjtin motor, vajza shpjegon se e ka parë 3 ditë më vonë në magazinën e shtëpisë së Edmond Haxhias, në fshatin Kakarriq në Lezhë.

Saraivo ka mbërritur në Shqipëri në datën 14 shkurt 2023 dhe është pritur në Rinas nga Edmond Haxhia. Portugezi ka qëndruar një natë në një hotel në Shëngjin, afër lokal Coral dhe më pas e kanë dërguar në Shkodër.
Po sipas kësaj dëshmitareje, “shtetasi Portogez, përshëndeste në gjuhën shqipe “Si kaluat”, hante shpesh çamçakëz dhe me Edmondin komunikonte në gjuhën angleze”.

Prokuroria thotë se përveç pamjeve filmike janë gjetur edhe rrobat që autori përdori në vrasje. Ekzekutori mbante në fytyrë një mbulesë grash, e cila u gjet në automjetin targa AA837ZM dhe nga pështyma u përftuar një profil gjenetik, i cili rezultoi i njëjte më profilin gjenetik të përfituar nga çamçakizi, gjetur në magazinën e shtetasit Edmond Haxhia.
Lidhur me britanikun Harry Simpson i cili ka pasur rolin e vëzhguesit, prokuroria thotë se në hotelin ku qëndroi ai u gjetën filtrat e cigareve, dhe u përftua një profil gjenetik që rezulton i njëjtë me profilin biologjik të përfituar nga dorezat e gjetura në bagazhin e mjetit që përdorej nga Haxhia.

Referuar dosjes, portugezi u largua nga Kapshtica në këmbë, ndërsa Simpson u largua nga Rinasi menjëherë pas vrasjes. Motori që u përdor në krim, u gjet në Kakarriq pas shumë kërkimesh. Policia ka shpallur në kërkim për këtë krim edhe 3 shtetas të tjerë britanik, Harriet Bridgeman, Thomas Mithan dhe Steven Hunt, si dhe Edmond Haxhian.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit