“Rrezikojmë jetën për 64 mijë lekë në muaj dhe duhet të jemi gjithmonë gati për çdo problem”, shkruan një elektricist i OSHEE-së në një denoncim të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, duke ngritur shqetësime për pagën, kushtet e punës dhe pajisjet e sigurisë.
Punonjësi, i cili ka zgjedhur të mos bëjë publike identitetin, thotë se shumë prej elektricistëve përballen çdo ditë me rrezikun në terren, ndërsa sipas tij detyrohen të blejnë vetë një pjesë të veglave që përdorin gjatë punës.
“Ka shumë elektricistë që jetojnë me qira në Tiranë ose kanë kredi dhe me atë pagë qesharake 64 mijë lekë nuk dalin për asgjë. Veglat detyrohemi t’i blejmë vetë, plus rreziku me të cilin përballemi”, shkruan ai.
Sipas tij, problem mbetet edhe pajisja me uniforma dhe masa mbrojtëse. Punonjësi pretendon se mungojnë pajisjet e nevojshme dhe se ekziston frika që punonjësit të penalizohen për mungesën e uniformave, edhe pse, sipas tij, vetë kompania nuk i pajis në mënyrën e duhur.
“OSHEE nuk interesohet as për masa mbrojtëse, as për asgjë. Një ditë mund të gjejnë pretekst edhe për të na hequr nga puna pse nuk kemi uniforma”, vijon denoncimi.
Shqetësimet për pagat e elektricistëve të OSHEE-së nuk janë të reja. Në vitin 2023, drejtuesit e kompanisë dhe ministrja e atëhershme e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaruan se paga e elektricistëve të terrenit do të rritej në 70 mijë lekë, nga rreth 50 mijë lekë, ndërsa do të aplikohej edhe shtesa për vjetërsinë në punë.
Edhe në mars të këtij viti, një tjetër punonjës i sektorit të energjisë pretendoi publikisht se rritja e premtuar nuk ishte reflektuar për shumicën e stafit. Ndërkohë, OSHEE Group ka njoftuar për rritje të pagës bazë për punonjësit me profil elektrik, me 7,500 lekë për ata me arsim të mesëm profesional dhe 12,500 lekë për inxhinierët elektrikë, nga 1 shkurti 2026.
Sa i përket pajisjeve të punës dhe sigurisë, dokumentet publike të prokurimeve tregojnë se OSHEE ka zhvilluar procedura për blerjen e uniformave dhe pajisjeve të sigurisë, ndërsa vetëm në qershor 2026, OSSH Berat zhvilloi një tender me fond limit rreth 4.05 milionë lekë për blerje veglash pune për punonjësit e terrenit.
Kjo ngre një pyetje konkrete: nëse pajisjet, uniformat dhe mjetet e punës prokurohen nga kompania, sa prej tyre mbërrijnë realisht te elektricistët që dalin çdo ditë në terren?
Elektricisti që iu drejtua JOQ Albania kërkon që zëri i kësaj kategorie të mos dëgjohet vetëm kur ka probleme me furnizimin me energji, por edhe kur bëhet fjalë për njerëzit që dalin në terren për t’i zgjidhur ato.
JOQ Albania mbetet e hapur për reagimin e OSHEE/OSSH-së lidhur me pagat aktuale të elektricistëve, pajisjet e sigurisë, uniformat, veglat e punës dhe kushtet në të cilat punojnë ekipet e terrenit.