Ka shkuar në dy numri i viktimave nga aksidenti i rëndë i ndodhur pasditen e së mërkurës te mbikalimi i TEG-ut. Shtetasi tjetër egjiptian, i cili udhëtonte në të njëjtin mjet të tonazhit të rëndë me viktimën e parë, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në spital. Ai mbeti i plagosur rëndë gjatë përplasjes dhe u transportua me urgjencë për mjekim më të specializuar, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ndërroi jetë pak më vonë.
Ngjarja e rëndë ndodhi teksa kamioni tip betoniere u përplas me një automjet tip fuoristradë. Goditja ka qenë mjaft e fortë, duke e shkatërruar plotësisht fuoristradën. Pas përplasjes me këtë mjet, kamioni i tonazhit të rëndë ka thyer barrierat mbrojtëse të urës dhe ka përfunduar duke rënë poshtë në aksin tjetër rrugor, ku po ashtu ka pësuar dëmtime të shumta nga rënia e lirë.
Nga ky aksident tragjik mbetet i plagosur vetëm drejtuesi i fuoristradës së përfshirë në ngjarje, një 28-vjeçar shqiptar, i cili po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor. Grupi hetimor dhe ekspertët e qarkullimit rrugor po vijojnë punën në vendngjarje për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe shkaqet teknike që çuan në këtë përplasje me pasojë dy të vdekur.