Rritet numri i aksidenteve në vend, 547 raste në pesë muajt e parë

Rritet numri i aksidenteve në vend, 547…

Numri i aksidenteve rrugore në Shqipëri ka shënuar rritje gjatë muajit maj, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se gjatë muajit të kaluar u regjistruan 133 aksidente, kundrejt 116 në maj 2025.

Si pasojë e këtyre ngjarjeve, 181 persona mbetën të vrarë ose të plagosur, ndërsa një vit më parë numri i viktimave dhe të lënduarve ishte 157.

Edhe bilanci i pesë muajve të parë të vitit paraqitet në rritje. Nga janari deri në maj janë regjistruar gjithsej 547 aksidente rrugore, ose 3.4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritjen më të ndjeshme e ka shënuar Tirana, ku numri i aksidenteve u rrit nga 30 në 53. Shtim të rasteve kanë regjistruar edhe Durrësi dhe Vlora, me nga 11 aksidente secili, kundrejt 7 në majin e vitit të kaluar. Rritje të lehtë pati edhe në Elbasan dhe Berat.

Në të kundërt, disa qarqe kanë shënuar ulje të numrit të aksidenteve. Shkodra regjistroi rënien më të madhe, nga 13 në 7 aksidente, ndërsa më pak raste pati edhe në Lezhë, Korçë dhe Gjirokastër. Në Fier, Dibër dhe Kukës, numri i aksidenteve mbeti pothuajse i pandryshuar.

Sipas INSTAT, 94% e aksidenteve të regjistruara në maj kanë ardhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Më të përfshirët në aksidente janë drejtuesit e grupmoshës 25-34 vjeç, të cilët përbëjnë 30.8% të rasteve. Po ashtu, e diela rezulton dita me numrin më të lartë të aksidenteve, ndërsa intervali orar 08:00-12:00 mbetet periudha kur regjistrohen më shumë ngjarje rrugore.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit