Një bakter që shkakton diarre të rëndë, dhimbje barku, temperaturë dhe në raste të caktuara edhe gjakderdhje, po përhapet gjithnjë e më shumë përmes kontaktit seksual, ndërsa disa prej varianteve të tij po zhvillojnë rezistencë ndaj antibiotikëve.
Bëhet fjalë për bakterin Shigella, përgjegjës për infeksionin e njohur si shigelozë. Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), në SHBA regjistrohen rreth 450 mijë infeksione të tilla çdo vit.
Bakteri përhapet kryesisht përmes kontaktit me materiale të kontaminuara me feçe, ushqimit ose ujit të ndotur, por edhe gjatë marrëdhënieve seksuale, kur bakteret kalojnë nga zona anale në gojë. Edhe një sasi shumë e vogël e tyre mund të shkaktojë infeksion.
Studimi i publikuar në korrik 2026 në revistën shkencore “The Lancet Infectious Diseases” zbuloi se, në Angli, variantet e Shigella-s që përhapen përmes kontaktit seksual u rritën mesatarisht 15% më shpejt çdo vit gjatë periudhës 2015-2020, krahasuar me variantet e lidhura me udhëtimet, ushqimin e kontaminuar apo përhapjen në çerdhe.
Rreziku shtohet edhe nga rezistenca ndaj antibiotikëve. Në një raport të publikuar në prill 2026, CDC bëri të ditur se përqindja e mostrave të Shigella-s që rezultonin rezistente ndaj pesë grupeve kryesore të antibiotikëve u rrit nga 0% në periudhën 2011-2015 në 8.5% në vitin 2023. Rreth 86% e personave të prekur nga këto variante rezistente ishin burra, ndërsa afërsisht një e treta e pacientëve përfunduan në spital.
Gjeneticistja Kate Baker nga Universiteti i Kembrixhit paralajmëron se disa variante po bëhen jashtëzakonisht të vështira për t’u trajtuar, duke kufizuar ndjeshëm mundësitë e mjekimit.
Shumica e të infektuarve shërohen brenda pak ditësh me pushim dhe hidratim, por rastet e rënda mund të kërkojnë trajtim mjekësor. CDC këshillon larjen e duarve dhe higjienën para e pas kontaktit seksual, përdorimin e barrierave mbrojtëse dhe shmangien e marrëdhënieve seksuale gjatë sëmundjes dhe për të paktën dy javë pas përfundimit të diarresë.